Burri që rrahu për vdekje gruan gjatë pushimeve në kroçerë, burgoset 30 vjet në SHBA (fotot)

04/06/2021 17:51

Një bashkëshort që rrahu me grushte për vdekje gruan e tij para fëmijëve, teksa udhëtonin me kroçerë në Alaska, është burgosur për 30 vjet në një burg federal në SHBA.

43 vjeçari Kenneth Manzanares nga Utah, pranoi vitin e kaluar rrahjen makabre të bashkëshortes 39-vjeçare Kristy Manzanares , teksa po udhëtonin me kroçerën Emerald Princess më 25 korrik 2017.

Por teksa detajet e sulmit të tmerrshëm nisën të dalin në dritë, pasagjerët e kroçerës mësohet se kishin besuar se zhurmat e dëgjuara në sistemin e zërit të anijes, ishte pjesë e një skenari zbavitës për “zbulimin e autorit të një vrasjeje”.

Tre vajzat e çiftit Manzanares kishin dëgjuar ulërimat e nënës së tyre teksa babai e qëllonte në kokë me grushte, shkruan Associated Press.

Në udhëtimin e pushimeve kishte gjithashtu të afërm të çiftit. Bashkëshorti kishte humbur kontrollin kur Kristy kishte qeshur me të, dhe i kishte thënë se donte divorcin.

Gjykatësi Timothy Burgess dënoi Kenneth me 30 vjet burg dhe pesë vjet liri me kusht pasi Kenneth pranoi akuzën e vrasjes së gradës së dytë.

Avokatët e burrit argumentonin se shpërthimi i tij i papritur erdhi si pasojë e një çrregullimi bipolar të padiagnostikuar dhe kërkonin dënim më të butë, ndërsa prokurorët kërkonin dënimin e tij përjetë.

Në natën kur Kristy u vra, pasagjerët pritej të merrnin pjesë në event zbavitës misteri, të stilit investigativ ‘Sherlock Holmes’.

Kështu që kur ndodhi rrahja e përgjakshme, disa pasagjerë besonin se ishte pjesë e zbavitjes.

Agjencia AP shkruante se ish-mundësi Kenneth, kishte probleme të vjetra me zemërimin dhe kishte goditur më parë gruan, ose kishte shpuar vrima në mur me grushte gjatë debateve me të.

Vrasja e Kristy nuk u dëshmua vetëm nga fëmijët e çiftit, por dhe nga vëllezërit dhe babai i Kenneth, sipas AP.

Top Channel