Samiti në Kinë/ Xi Jinping thyen traditën, e pret personalisht në aeroport Trumpin, presidenti amerikan e përqafon
Fotot e plota të autopsisë dhe të qelisë ku u gjet i vdekur Jeffrey Epstein janë publikuar nga vëllai i tij, Mark Epstein, duke rikthyer në vëmendje misterin e vdekjes së financierit amerikan në vitin 2019.
Imazhet kanë rikthyer debatet mbi rrethanat e vdekjes së financierit amerikan, i cili u gjet i vdekur në gusht të vitit 2019, disa javë pasi ishte arrestuar nën akuzat për trafikim seksual të të miturve.
Sipas raportimit të Daily Mail, imazhet tregojnë shenja të errëta dhe të kuqërremta në pjesën e përparme dhe të pasme të qafës së Epstein, si dhe një shenjë që shtrihet drejt veshit. Pikërisht këto dëmtime janë në qendër të analizës së ekspertit mjeko-ligjor, Michael Freeman.
Freeman, i cili ka shqyrtuar fotografitë që nga nëntori i vitit 2025, pretendon se shpërndarja dhe forma e dëmtimeve nuk përputhen me një vetëvarje.
“Modeli, shpërndarja dhe numri i madh i dëmtimeve nuk shpjegohen nga një varje vetëvrasëse”, deklaroi ai për “New York Times”.
Ndërkohë në një intervistë për CBS, eksperti u shpreh gjithashtu se shenjat në qafë kishin një pamje të pazakontë për një rast varjeje.
“Kur i pamë fotografitë, kjo nuk ishte ajo që prisnim të shihnim”, ka shtuar ai.
Sipas Dr. Freeman, një nga elementet më të rëndësishme është forma në trajtë shkronje “Y” e shenjave në qafën e Epstein. Ai pretendon se kjo formë nuk është tipike për dëmtimet që shkaktohen gjatë një vetëvarjeje.
Eksperti vë në dukje gjithashtu praninë e dy shenjave të veçanta në qafë, të cilat, sipas tij, kanë kënde të ndryshme.
“Gjatë një vetëvarjeje nuk ekziston një mekanizëm që mund të krijojë një shenjë të dytë më poshtë”, argumentoi Freeman.
Një tjetër element që ai e konsideron të rëndësishëm është një copë pëlhure portokalli e grisur, e gjetur në qelinë e Epstein. Sipas tij, bëhej fjalë për një lidhëse të ngushtë, me dy nyje dhe në formë laku, e cila mund të ketë ushtruar presion në pjesën e pasme të qafës. Freeman pretendon se, nëse kjo pëlhurë vendoset në raport me dëmtimet e dokumentuara, mund të shpjegojë mënyrën se si janë krijuar shenjat.
Ai përmendi gjithashtu mundësinë e dëmtimeve në fytyrën dhe shpatullën e majtë të Epstein, të cilat, sipas interpretimit të tij, mund të lidhen me një përleshje.
“Gjithçka e marrë së bashku përputhet më së shumti me një mbytje vrasëse nga pas, duke përdorur një lidhëse të ngushtë prej pëlhure me nyje”, ka deklaruar eksperti në përfundim të analizës së fotografive.
Duhet theksuar se Dr. Freeman nuk ka ekzaminuar personalisht trupin e Epstein dhe analizën e tij e ka bazuar vetëm në fotografitë e autopsisë dhe të vendngjarjes.
Përveç imazheve të autopsisë, fotografitë e publikuara ofrojnë edhe një pamje më të plotë të qelisë ku Epstein kaloi orët e fundit të jetës. Në to shihen ilaçe të shpërndara mbi krevatin e sipërm, çarçafë portokalli të grisur, një shapka burgu në dysheme dhe pajisja CPAP që ai përdorte gjatë gjumit.
Në disa fotografi shfaqet edhe një defibrilator, i përdorur gjatë përpjekjeve për ta rikthyer në jetë pas gjetjes pa ndjenja. Hetuesit kanë fotografuar gjithashtu një lidhëse në formë laku, ndërsa pranë saj shihet një metër matës për dokumentimin e përmasave. Në imazhe të tjera, copa të çarçafëve duken të varura në shkallët e krevatit marinari.
Megjithatë, pretendimet e Dr. Freeman nuk përputhen me përfundimet zyrtare të mjekësisë ligjore. Dr. Kristin Roman, mjekja që kreu autopsinë e Epstein, ka deklaruar se ekzaminimi nuk tregoi shenja të një përleshjeje dhe se në duart e tij nuk u konstatuan dëmtime që të sugjeronin një konflikt fizik.
Ajo ka shpjeguar se dëmtimi i konstatuar në krahun e Epstein mund të ishte shkaktuar nga konvulsionet gjatë procesit të varjes. Gjithashtu, sipas saj, frakturat e kërcit tiroide në qafë ishin në përputhje me një rast varjeje.
“Modeli i frakturave të tij ishte ai i një varjeje”, është shprehur Roman.
Ajo ka argumentuar se dëmtimet e shkaktuara nga presioni i vazhdueshëm gjatë varjes kanë një model të ndryshëm nga ato që shkaktohen nga shtrëngimi manual i qafës.
Kjo nuk është hera e parë që vihet në dyshim përfundimi zyrtar për vdekjen e Jeffrey Epstein. Në vitin 2019, vëllai i tij, Mark Epstein, kishte angazhuar patologun mjeko-ligjor Michael Baden për të shqyrtuar rastin. Edhe Baden kishte shprehur dyshime se dëmtimet e konstatuara mund të ishin më shumë në përputhje me një vrasje sesa me vetëvrasje.
Nga ana tjetër, ekzaminuesja zyrtare e mjekësisë ligjore e klasifikoi vdekjen si vetëvrasje. Një raport i vitit 2023 nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në Departamentin amerikan të Drejtësisë evidentoi një sërë dështimesh serioze në burgun Metropolitan Correctional Center.
Sipas raportit, neglizhenca, shkeljet dhe mangësitë në kryerjen e detyrave nga personeli i Byrosë së Burgjeve krijuan mundësinë që Epstein t’i jepte fund jetës.
Edhe në fillim të vitit 2026, Departamenti amerikan i Drejtësisë publikoi rreth tre milionë dokumente që lidhen me çështjen Epstein, përfshirë orë të tëra filmimesh nga ambientet e burgut, në kuadër të përpjekjeve për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes.
Megjithatë, publikimi i dokumenteve dhe pamjeve të reja nuk i ka shuar pikëpyetjet. Edhe gazetarja Julie K. Brown e Miami Herald, e cila me investigimet e saj në vitin 2018 kontribuoi në rikthimin e çështjes Epstein në vëmendjen e autoriteteve, ka shprehur rezerva për rrethanat e vdekjes së tij. Ajo e ka cilësuar ngjarjen si “të çmendur” dhe ka deklaruar se “shumë gjëra nuk kanë kuptim”.
Jeffrey Epstein u gjet i vdekur më 10 gusht 2019 në qelinë e tij në Manhattan, ndërsa priste gjykimin për akuzat e trafikimit seksual të të miturve. Ai kishte pasur lidhje me figura të fuqishme të politikës, biznesit dhe botës së spektaklit, mes tyre Donald Trump, Bill Clinton dhe Andrew Mountbatten-Windsor.
Deri më sot, përfundimi zyrtar i autoriteteve amerikane mbetet vetëvrasja. Pretendimet e ekspertëve të pavarur dhe interpretimet e reja të fotografive nuk përbëjnë prova përfundimtare se Epstein është vrarë.

Top Channel