Policia Rrugore ka rritur prezencën e saj në të gjitha akset rrugore interurbane, urbane dhe rurale, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Kontrollet janë përqendruar në shpejtësisë tej normave të lejuara, drejtimin e automjeteve nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, drejtimin e motoçikletave pa leje drejtimi dhe pa kaskë mbrojtëse, mospërdorimin e rripit të sigurimit, përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit, parakalimet e gabuara, mosrespektimin e përparësisë dhe të sinjalizimit rrugor, sjelljet jokorrekte në rrethrrotullime, si dhe në shkelje të tjera që janë burim aksidenti.
Në funksion të kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në kushtet e flagrancës 4 shtetas:
A. V., 59 vjeç, banues në fshatin Vidhas, Elbasan, A. S., 45 vjeç, banues në fshatin Grykësh, Peqin, M. T., 25 vjeç, banues në fshatin Mollas, Elbasan dhe F. H., 29 vjeç, banues në fshatin Godolesh, Elbasan, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar motoçikletat pa leje drejtimi.
Po si rezultat i kontrolleve janë pezulluar 13 leje drejtimi. Gjithashtu janë vendosur 140 masa administrative, nga këto:
• 9 për mospërdorim të rripit të sigurimit;
• 30 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
• 101 masa të tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Këto kontrolle do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjitha akset rrugore të qarkut Elbasan, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore e Elbasanit apelon për gjithë drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.
Top Channel