Gazetarja Anila Hoxha ka folur për rastin e të riut, të identifikuar si Gerti, i cili ndërroi jetë për shkak të refuzimit të ushqimit. Për këtë çështje po hetohet ende ndërsa nuk ka detaje konkrete në lidhje me vdekjen e tij.
Në emisionin “Open” në Top Channel, rrëfeu se dyshohet që ngjarja të ketë lidhje me udhëtimin e të riut në Greqi, nga ku u kthye me dëshirën për të konsumuar vetëm produkte me natyrë bimore.
Teksa familjarët po përpiqeshin që të ndryshonin mënyrën e tij të jetesës, Gerti vendosi që të largohej nga shtëpia dhe pas disa ditësh u gjet i vdekur në një Bathore teksa ishte i ulur në formën e ritualit të lutjes.
Anila Hoxha: Bëhet fjalë për një 32 vjeçar, Gerti, i cili ndryshoi sjellje në mënyrë të beftë dhe filloi të izolohet e të ndryshojë menunë ushqimore duke kërkuar vetëm produkte me natyrë bimore dhe duke i kërkuar edhe familjes që të ushqehej në këtë mënyrë. Në këto momente, në familjen e tij hapet një konflikt, e dinin që djali po frekuentonte diçka ndryshe dhe më pas djali largohet nga shtëpia në gusht 2019 dhe në fund të muajit gjendet në ullishte në Bathore.
E gjetën në një formë të ulur në ritual lutjeje. Ai ka ndërruar jetë nga refuzimi i ushqimit dhe kjo përcaktohet në ekspertizë. Prokurorja e çështjes dyshon që ngjarja lidhet me Greqinë se i riu kishte qenë në Greqi dhe është kthyer me këtë ndryshim, me këtë indoktrinim me refuzim ushqimi.
Ka pasur një ping pong kjo dosje dhe çështja vijon të mbetet sekret me pakënaqësi të vazhdueshme nga familjarët që kërkojnë vazhdimisht të mësojnë diçka më shumë.
Ndërsa për rastin e Zhaneta dhe Anisa Jostifit (nënë e bijë) që u vetëflijuan me idenë se do të ringjallen së bashku me vajzën tjetër të pajetë që mbanin në shtëpi, cilësohen si vdekje të ndodhura për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Gazetarja Anila Hoxha thotë se nuk e marrin parasysh se kush ka ndikuar në gjendjen e tyre duke shtuar se ka dëshmitarë që tregojnë se ato takonin njerëz të çuditshëm.
Anila Hoxha: Ka 2 kategori ngjarjesh që mbyllen lehtë, e para që konsiderohen për motive banale dhe mbyllet. Janë dhe histori të tilla që nuk shpjegohen dot dhe e cilësojnë si çështje për shkak të kushteve të rënduara të viktimave. Por nuk merret asnjëherë parasysh se kush i ka ndikuar. Nuk shkruanin letra anonime, por ishin me mikrofon dhe thonin njerëz të çuditshëm i takonin këto gra.
Top Channel