“Big Bang” në sheshin Italia/ Vepra e Helidon Xhixhas u inaugurua në 75 vjetorin e shpalljes së Italisë Republikë

02/06/2021 19:57

Sheshi Italia megjithëse ishte pagëzuar si i tillë, ende nuk e kishte një inaugurim zyrtar.

Ai u organizua këtë të mërkurë, me rastin e 75 vjetorit të shpalljes së Italisë Republikë Parlamentare. Përveç pllakës inauguruese të shtetit, një skulpturë e artistit Helidon Xhixha e quajtur “Big Bang” mori vëmendjen e të gjithëve.

“Jam shumë i lumtur që sot me fuqinë e butë të Italisë pagëzojmë këtë shesh. Sheshin Italia. Tani mund të quhet shesh. Nëse më parë ishte vetëm një vend për makinat, sot është një vend për njerëzit”, u shpreh Veliaj.

“Kur jemi bashkë ja dalim të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme. Dhe pikërisht për këtë sot kemi dashur të festojmë këtë rinisje në një shesh”, tha Fabrizzio Bucci, ambasador i Italisë.

Big Bang simbolizon një fillim të ri. Një fillim pas një kohe të vështirë që kaluam dhe një fillim edhe për marrëdhëniet e shkëmbimit mes dy vendeve, që datojnë në shekuj.

“Kjo vepër ka lindur tre vjet më parë si element kërkimi sa i përket zhvillimit të energjisë që kemi si univers të brendshëm secili nga ne. Ky është simboli i fillimit, pas epidemisë që ne kemi qenë mbyllur që të japë shpërthimin e dritës dhe jetës, që ne kemi nevojë të fillojmë nga e para”, tha Helidon Xhixha.

Në aeroportin e Romës dikur kam parë emrin tënd të shkruar, mendon që më tepër të ka vlerësuar Italia apo Shqipëri?
Kjo është një pyetje e vështirë. Të dyja kanë një rol shumë të rëndësishëm. Temperamentin që kam marrë nga ky vend e zhvillova në një vend tjetër.

Helidon Xhixha, në dekadat e fundit, ka pohuar pozicionin e tij si një figurë udhëheqëse në skenën e sotme të artit bashkëkohor. Veprat e tij monumentale sot ekspozohen në mbarë arenën ndërkombëtare. Ato dallojnë veçmas për çelikun inoks, që e bën edhe më të veçantë në stilin e tij.

Atomi është një element shumë i përdorur në skulpturën e Helidon Xhixhas dhe në këtë rast ai e ka përdorur atë në këtë lloj mënyre, nëpërmjet materialeve që reflektojnë dritën. Ky instilacion është në vazhdimësinë e krijimeve të tij në këto motive.

Top Channel