Që në fillim pati pakënaqësi në radhët e biznesit, veçanërisht në radhët e tregtarëve dhe biznesit të vogël. Jo për shkak të formalizmit të ekonomisë, por për shkak të kostove shtesë që do të duhej të paguanin. Asokohe lindën debate edhe për leverdishmërinë e sistemit.

Kur Sali Berisha erdhi në pushtet, u dha kulaçin bizneseve me taksën e sheshtë dhe më pas kërbaçin me kasat fiskale…

Procesi përmes metodave të reja të teknologjisë së informacionit në administratën tatimore ka nisur me implementimin e ligjit të TVSH-së më 1996 që u bë një sistem me kushtet e atëhershme i pranueshëm dhe arriti kulmin me zhvillimet në vitet 2013-2014 me bërjen e sistemit informatik tatimor cots dhe ishte finalizimi i asaj që nisi më 2008-2009 për implementimin e pajisjeve fiskale. Kishte të bënte me logjistikën e sistemit fiskal.

Por duke iu referuar vitit 2009, procesi i fiskalizimit të shitjeve me para cash në Shqipëri ishte i pandryshuar prej më shumë se 10 vjetësh.

Qeveria Berisha në vitin 2009 do të licensonte 5 kompani, AED, Iva Elektronik, Trebit Computers, CKV-NOKI ALBANIA, DAISY & ETM, për tregtimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e kasave fiskale që do të mundësonin deklarimin ditor të shitjeve. Projekti kushtoi 46,5 milionë euro.

Nga këto kompani, njëra falimentoi, dhe mbetën 4 kompani që edhe sot vijojnë të ndajnë një treg që qarkullon mes 10 dhe 15 milionë euro në vit. Vetë kompanitë kanë deklaruar asokohe një fitim 10-15% nga shitja e kasave fiskale.
Prej çertifikimit të parë, asnjë kompani tjetër nuk do të lejohej të certifikohej, as nga qeveria aktuale, duke përqendruar këtë treg dhe krijuar një oligopol mes 4 kompanive.

Si rrjedhojë do të kishte çmime të larta dhe të papërballueshme veçanërisht nga biznesi i vogël.

Por sa i kushton biznesit faturimi përmes kasës fiskale?

Çmimi i kasave fiskale varion nga 230 në 650 euro kosto fillestare e produktit dhe instalimi e mirëmbajtja vjetore fillon nga 2,500 lekë, deri në 15,000 lekë të reja plus ndërrimin e memories fiskale, aq herë sa ajo mbushet, e cila ndërrohet mesatarisht një herë në 3-5 vjet, dhe kushton gati 150 euro.

Duke operuar në një ekonomi pothuajse tërësisht informale, bizneset do të trembeshin nga kostot e kasave fiskale, veçanërisht biznesi i vogël që të ardhurat e tij ishin të barabarta e ndoshta më të vogla se kostoja e kasës. Pas një vargu gjobash të majme deri në 100 mijë lekë dhe kostot e papërballueshme të instalimit dhe mirëmbajtjes së kasave fiskale, tregtarët e Medresesë do të nisnin protestat, më tej dhe tregtarë në qytete të tjera.

Favorizimi i kompanive të kasave fiskale do të denoncohej nga Partia Socialiste në opozitë. Socialistët do të deklaronin në atë kohë se nga të gjitha llogaritjet dhe të gjitha dokumentet rezulton se fitimi për këtë biznes të ngritur dhe garantuar nga qeveria Berisha për klientët e saj fillon nga 40 milion Euro, pasi shumë biznese të mëdha kanë blerë më shumë se një kasë.

Ministri i Financave i asokohe Ridvan Bode do ta quante lëvizjen politike. Kurse lideri i opozitës Edi Rama do ta konsideronte instalimin e kasave të shtrenjta një histori të neveritshme korrupsioni “që për fat të keq zë fill në zyrën e ministrit të financave”.

Në vitin 2010, në Shqipëri ishin 120 mijë biznese që duhej të pajiseshin me kasa fiskale, por vetëm 12 mijë kishin mundur të vendosnin kasa fiskale.

Çmimet e larta dhe të panegociueshme të kasave fiskale do të konsideroheshin nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit pasojë e tregut të përqendruar.

Më vonë, në mars të 2011 me Vendim Qeverie do të garantohej për biznesin e vogël rimbursimi i plotë i kasave fiskale.
Por asgjë nuk ndryshoi në ç’bërjen e tregut monopolistik.

Por a arriti qeveria Berisha të rriste të ardhurat në arkën e shtetit, të ulte borxhin publik dhe informalitetin?

Kjo qeveri mblodhi në arkë të ardhura buxhetore 24.2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin e fundit të qeverisjes në mandatin e dytë. Të ardhurat ishin më pak se viti paraardhës.

Qeveria e Berishës e la vendin me një trashëgimi fiskale të errët; një borxh publik prej 70% dhe ekonomi informale 25,6 %.

Kjo tregoi që kasat fiskale nuk i dhanë frymëmarrje ekonomisë dhe nuk e ulën nivelin e ekonomisë informale.

Top Channel