Franca dhe Gjermania po kërkojnë sqarime nga SHBA dhe Danimarka mbi raportin se agjencitë daneze të inteligjencës e kanë ndihmuar Ëashingtonin të spiunojë disa zyrtarë të lartë europiane, përfshire dhe vetë kancelaren, Angela Merkel. Nëse ky informacion është i vërtetë, u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron, atëherë duhet të them se praktika të tilla janë të papranueshme mes aleatëve, e aq më pak të pranueshme mes aleatëve europianë dhe partnerëve.
“Unë jam i lidhur pas fijeve të besimit që bashkojnë evropianët dhe amerikanët, kështu që në këtë drejtim ne duhet të bëjmë gjithçka për sigurinë tonë të përbashkët dhe nuk ka vend për dyshime mes nesh. Kjo është arsyeja përse presim qartësi të plotë. U kemi kërkuar partnerëve tanë danezë dhe amerikanë që të na sigurojnë të gjitha informacionet për këto përgjime dhe për ngjarjet e kaluara”.
Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara (NSA) përdori një partneritet me njësinë e zbulimit të huaj të Danimarkës për të përgjuar zyrtarë të lartë të vendeve fqinje, njoftim ky i bërë nga vetë televizioni shtetëror danez DR. Dalja ne drite e nje fakti te tille është rezultat i një hetimi të brendshëm të vitit 2015 në Shërbimin e Zbulimit të Mbrojtjes Daneze për rolin e NSA-së në partneritet, tha televizioni DR, duke cituar nëntë burime të paidentifikuara që kishin qasje në hetimin i cili mbuloi periudhën 2012 – 2014.
Sipas hetimit, NSA përdori kanalet e informacionit danez për të përgjuar zyrtarë të lartë në Suedi, Norvegji, Francë dhe Gjermani, përfshirë ish-Ministrin e Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe ish-udhëheqësin e opozitës gjermane Peer Steinbruck. Ministrja daneze e Mbrojtjes Trine Bramsen nuk pranoi të komentonte mbi ato që i quajti “spekulime” në lidhje me çështjet e zbulimit në media. Në Uashington, as NSA dhe Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar (DNI) nuk pranuan të komentojnë.
Në Danimarkë, një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, janë të instaluara disa stacione kryesore për kabllot nënujore të internetit nga Suedia, Norvegjia, Gjermania, Hollanda dhe Britania. Burimet i thanë DR-së se NSA kishte përgjoi telefonata, tekste dhe mesazhe nga telefonat e zyrtarëve në vendet fqinje.
Top Channel