Dy pilotë ushtarakë iranianë u vranë sot kur një lëshim aksidental i sediljeve të avionit para ngritjes, i përplasi në tavanin e hangarit.
Rrjeti shtetëror iranian IRIB tha se avioni gjuajtës F-5 kishte pësuar një “problem teknik” dhe vrau të dy pilotët, të identifikuar si Kianoush Basati e Hossein Nami.
Raportimi thoshte se incidenti ndodhi në bazën ajrore Dezful Vahdati, rreth 444 kilometra në jug të kryeqytetit Teheran, pranë kufirit me Irakun.
Rrjeti tjetër shtetëror vendas IRNA tha se incidenti i rëndë kishte ndodhur para ngritjes, pa dhënë më shumë detaje.
Në rrjetet sociale Basati identifikohej si kolonel i forcave ajrore, kurse Nami si lejtnant.
Autoritetet kanë rrethuar vendngjarjen në pritje të hetimit pas avarisë në avionin ushtarak.
Ali Farahmandpour, guvernatori i Dezful, tha për transmetuesin: “Incidenti është duke u hetuar nga grupet e Teheranit”. Ai mohoi sugjerimet se avioni ishte ngritur në ajër dhe shtoi se sot nuk ishin planifikuar fluturime nga baza.
Nuk ishte e qartë mosha apo gjendja teknike e avionit, por Irani operon ende gjuajtësit e prodhimit amerikan F-5 të blerë që para Revolucionit Islamik të 1979.
Vendi ka gjithashtu gjuajtës rusë MiG e Sukhoi por sanksionet e ashpra ekonomike të vendosura nga Perëndimi e kanë bërë të vështirë të ruajnë flotën e tyre ajrore në parametra optimale.
Top Channel