Pas gati 5 muaj pezullim ku mjetet kanë qarkulluar në të gjithë vendin pa një certifikatë të kontrollit teknik, ka rinisur këtë të hënë kolaudimi i mjeteve. Kategoritë e para që do të marrin këtë shërbim që tashmë do të ofrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit janë mjetet e transportit ndërkombëtar të mallrave e udhëtarëve si dhe mjetet që nuk kanë kryer asnjëherë kolaudimin, për të vijuar gradualisht me pjesën tjetër të mjeteve.

Ky proces ka nisur pjesërisht pasi mjetet e përdorura do të duhet të presin ende për kryerjen e këtij procesi, pasi aktualisht po ofrojnë shërbim 7 qendra të kontrollit teknik nga 14 që janë në total.

Dragulin Lumi, drejtor i Qendrës së Kontrollit Teknik shpjegon edhe arsyet e zvarritjes së këtij procesi për një periudhë 5-mujore si dhe procedurën që do të ndiqet për kolaudimin e mjeteve për përdorim personal.

“Ngërçi ka qenë sepse tashmë është aplikuar një sistem i ri, i ndryshëm nga sistemi që ishte më parë. Kjo ka qenë koha fizike e nevojshme për implementimin e ri të këtij sistemi informativ, pra kalimit të shërbimit nga një operator tjetër që e ofronte në kalimin e shërbimit në operatorin tonë që është drejtoria e Transportit.

Sa i përket mjeteve për përdorim personal, pra veturave të cilave u skadon ose u ka skaduar afati i kolaudimit ato duhet të paguajnë taksat dhe policën e sigurimit dhe afati tyre kalon pas një vitit tjetër.

Me ndryshimet e reja të Kodit Rrugor afati i vlefshmërisë së kolaudimit zgjatet për të gjitha mjetet. Tashmë, mjetet e përdorura do ta kryejnë kontrollin teknik çdo 2 vjet, për mjetet e reja me 0 km kolaudimi nuk do të kryhet në tre vitet e para ndërsa taxitë, ambulancat e mjetet e transportit do ta kryejnë atë çdo vit, nga 6 muaj që ishte deri më tani.

Prej janarit të këtij viti shërbimi i kolaudimit i kaloi shtetit për t’u rivënë këtë të hënë në funksion, pas përfundimit të kontratës koncesionare mjaft problematike me SGS Albania.

Top Channel