“Libri i minifabulave” i shkrimtarit dhe eruditit Dr. Moikom Zeqo ka lindur përgjatë pandemisë së koronavirusit nga amaneti i Moikomit që mbesa e tij Pandora, vajza e të birit Epidamn, të mësojë shqip nëpërmjet fabulave dhe vjershave të shkruara nga gjyshi saj.

Kur Moikomi ndërroi jetë më 15 Qershor 2020, Epidamni mori vendimin për krijimin e Institutit “Moikom”, dhe që vajzës së tij t’i fliste dhe lexonte vetëm në shqip, edhe pse jeton në Amerikë. Por fabulat, vjershat, tregimet, dhe legjendat të shkruara nga Moikomi s’ishin ende të ilustruara. Tashmë minifabulat e Moikomit, të përzgjedhura për këtë botim, shoqërohen me ilustrimet origjinale e plot jetë në akuarel, tejet tërheqëse për fëmijët dhe prindërit, të krijuara nga artistja Enkeleida Ester Prifti, e diplomuar në Universitetin e Shën Petersburgut, Rusi.

Libri i Minifabulave është i pari i koleksionit të titulluar “Gjyshi Moikom”. Falë këtij koleksioni, fëmijë e prindër, edukatorë e mësues, do të mund të rizbulojnë krijimtarinë e larmishme të Moikomit, i cili ia përkushtoi një pjesë të rëndësishme të veprës së tij edukimit të brezit të ri. “Si mësojnë fëmijët? Ata imitojnë prindërit e tyre, prandaj, ne duhet të veprojnë vetë si modele, dhe të përsërisim, dhe të përsërisim, dhe të përsërisim. Leximi i tregimeve me rimë mbetet një nga mjetet më të fuqishme që prindërit kanë për t’u mësuar më mirë komunikimin fëmijëve dhe për t’i vënë në gjumë. Rima është vaji i shkrim-leximit, i këngës, dhe i krijimtarisë. Ekuilibri emocional i fëmijëve lidhet drejtpërdrejt me aftësinë e tyre për t’u shprehur me gjeste e fjalor, bisedim e ton.” – shkruan Epidamn Zeqo, drejtor i Institutit “Moikom”.

Dy fjalë për autorin

Autori Moikom Zeqo (3 qershor 1949 – 15 qershor 2020) ishte poet, gazetar, mësues, arkeolog (arkeologu i parë nënujor në Shqipëri), politikan (ish deputet dhe ish-Ministër i Kulturës) dhe muzeolog (ish-Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar). Ai është krahasuar edhe me Zhyl Vernin nga Odise Paskali për tregimet për fëmijë, që ka shkruar. Vepra e tij e pashembullt në letërsinë shqiptare përfshin më tepër se njëqind e pesëdhjetë (150) libra me poezi, fabula, vjersha, legjenda, tregime, prozë, studime arkeologjike e kërkimore dhe shkrime politiko-kulturore. Në vitin 1971, u diplomua në Universitetin e Tiranës për filologji dhe letërsi. Më vonë u diplomua edhe për histori e arkeologji, si dhe ka bërë studime pasuniversitare në Romë, në Athinë, dhe në Washington D.C. Mban titullin “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhrit të Gjergj Kastriot Skënderbeut”.

Të dhëna për librin

Titulli: Libri i minifabulave
Autor: Moikom Zeqo
Ilustrimet: Enkeleida Ester Prifti
Zhanri: Fabula për fëmijë
Data e botimit: Maj, 2021
Botime Pegi
Numri i faqeve: 40
Çmimi: 500 lekë

Top Channel