Këtu është Peqini, ndërsa këtu fusha e plehrave të Bashkisë Peqin.
Distanca ndërmjet këtij landfilli gjigand dhe qendrës së qytetit është vetëm 1.6 km larg. Gjatë stinës së verës kur plehrave u vendoset zjarri I gjithë qyteti kundërmon në erë të pakëndshme. Duke parë që ky landfill nuk përmbush asnjë kusht sanitar Top Channel në një bisede telefonike pyeti Kryetarin e Bashkisë Peqin Lorenc Tosku, nëse bashkia Peqin disponon një leje mjedisor për këtë katastrofë mjedisore.
GAZETARJA:Tani ju keni një leje mjedisore të miratuar nga Ministria e Mjedisit?
KRYETARI BASHKISË PEQIN, LORENC TOSKU: Me këtë merret Drejtoria e Urbanistikës, unë e di që janë ato të gjitha: procedurat, kontratat.
Por e vërteta është ndryshe. Ministria e Mjedisit e ka refuzuar kërkesën e bashkisë Peqin për të marrë një leje mjedisore që lejon vend-depozitimin e mbetjeve në këtë landfill. Sipas ligjit 10463 për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe strategjisë kombëtare prej gati dy vitesh mbetjet urbane duhet të dërgoheshin pranë inceneratorit të Elbasanit. Sipas Toskut, kryetari të bashkisë Peqin, mbetjet urbane nuk I heq, pasi nuk është shoferi i kamionit të plehrave.
GAZETARJA:Ju mbetjet urbane duhet t’i dërgoni në Elbasan tek inceneratori?
KRYETARI BASHKISË PEQIN, LORENC TOSKU:Po e kemi bërë një takim. Ka shkuar Sekretari i Përgjithshëm para një jave më duket në takim me ministrinë e energjitikës. Jemi në korpoorimin e këtyre për të lidh një marrëveshje bashkia me inceneratorin.
GAZETARJA:Përse nuk është bërë deri më tani?
KRYETARI BASHKISË PEQIN, LORENC TOSKU: Unë bashkinë nuk e kam pronë private, dhe nuk i coj unë se sjam shofer. Duhet parë kontrata , duhet lidh marrëveshja, kupton? Idea është kjo, problemi kostos financiare.
Dy operatorët ekonomikë që ka kontraktuat bashkia e Peqenit për menaxhimin e mbetjeve janë: “ Viola Green” dhe “ Bardhi SHPK”. Tosku, tha se është kostoja financiare e transportit ajo që i mban plehrat në qytet.
GAZETARJA: Po sa paguan bashkia nga buxheti vjetor? Sa i jep këtyre kompanive?
KRYETARI BASHKISË PEQIN, LORENC TOSKU: Unë nuk e kam idenë sepse nuk jam specialist.
GAZETARJA:Por nuk është çështje specialisti, është çështje parash. Nuk po flasim për 100 mijë lekë të vjetra, besoj?
KRYETARI BASHKISË PEQIN, LORENC TOSKU: Po për mua nuk është kjo primare, thjesht duhet të nisin procedurat ligjore.
Bashkia e Prrenjasit dhe Peqinit, thonë se nuk kanë para të mjaftueshme në buxhet që banorët e tyre të jetojnë pastër. Ndërkohë vetë këto bashki nuk kanë një analizë financiare se sa kushton heqja e mbetjeve urbane.
Top Channel