Tifozët britanikë të Manchester e Chelsea, përleshen në Porto dy net para finales (foto-video)

28/05/2021 17:32

Tifozët britanikë të finalistëve të ‘Champions League’ Manchester City e Chelsea kishin nisur përleshjet mes tyre që mbrëmë në rrugët e Porto, para ndeshjes së madhe të së shtunës.

Në pamjet e shpërndara në televizionet lokale dhe rrjetet sociale shiheshin përplasje të dhunshme në mbrëmje pranë lumit Douro.

Në një prej klipeve rrahjet zhvilloheshin në mes të rrugës, teksa tifozët u vunë përballë njëri-tjetrit, para se të shpërndaheshin kur erdhi policia.

Dy njerëz ishin plagosur pas përleshjeve pranë stacionit Sao Bento në Porto, si dhe në zonën bregdetare të njohur si ‘Ribeira’.

Policia tha se një person ishte dërguar në spitalin Santo Antonio pas një incidenti të dhunshëm.

Mijëra tifozë kanë zbritur në qytetin portugez për finalen ku do të pranohen vetëm 16,500 spektatorë, që përfaqësojnë një të tretën e stadiumit me kapacitet prej 50,000.

Autoritetet kanë thënë se pjesëmarrësit duhet të tregojnë një test negativ koronavirusi dhe policia do të shoqërojë tifozët drejt stadiumit dhe më pas drejt hoteleve, për të kufizuar ekspozimin.

Incidente u raportuan edhe në finalen e të mërkurës ku skuadra britanike e Manchester United humbi trofeun Europa League ndaj spanjollëve të Villareal, në Gdansk, të Polonisë.

FOTO GALERI
2/3
Në një prej klipeve rrahjet zhvilloheshin në mes të rrugës, teksa tifozët u vunë përballë njëri-tjetrit, para se të shpërndaheshin kur erdhi policia.

Top Channel