Tjetër masakër në SHBA, vret tetë kolegë të punës se e “nxehën”

27/05/2021 11:57

Nuk ka qetësi për Shtetet e Bashkuara! Një tjetër masakër tronditi vendin me tetë viktima dhe të paktën një të plagosur.

Personi që hapi zjarr në një kompleks për parkimin e tramvajeve në San Hoze të Kalifornisë, është identifikuar si një punonjës, Sam Cassidy.

Sipas autoriteteve, ai i njihte mirë të gjithë viktimat e tij, moshat e të cilëve variojnë nga 29 deri në 63 vjeç. Ata punonin të gjithë bashkë dhe ish bashkëshortja e agresorit ka rrëfyer se ai në të shkuarën, qe ankuar shumë për kolegët e tij. “Sam kishte dy anë”, tha Cecilia Nelms për një media të lidhur me CNN. “Kur ishte me të mira, ishte i jashtëzakonshëm, por kur nxehej, shpërthente shumë keq”, rrëfeu ajo. Cassidy u gjet i vdekur, por nuk ka pasur shkëmbim zjarri mes tij dhe forcave të rendit ndaj hetuesit besojnë se burri ka vrarë veten.

Ngjarja e rëndë ndodhi në parkimin e tramvajeve të administruar nga Autoriteti i Transportit Santa Clara Valley, pranë aeroportit kryesor të qytetit. të shtënat u dëgjuan në një pjesë të objektit ku punëtorët bëjnë mirëmbajtjen e mjeteve dhe jo në qendrën e operacioneve dhe të kontrollit.San Hozeja, një qytet me rreth 1 milion banorë, ndodhet në zemër të Luginës së Silikonit (Silicon Valley), një qendër globale e novacionit teknologjik dhe aty kanë selinë disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në SHBA.

Top Channel