Më shumë se një milion njerëz në Indi janë evakuuar, ndërsa një ciklon i fuqishëm ka filluar të zbresë në bregun lindor, këtë të mërkurë.
Cikloni Yaas, i cili u intensifikua si një “stuhi shumë e ashpër ciklonike”, goditi shtetin e Orissas, i njohur gjithashtu si Odisha.
Ky është cikloni i dytë që godet vendin brenda një jave, pasi cikloni Tauktae vrau më shumë se 150 njerëz.
Yaas goditi zonat bregdetare me erë dhe shi, duke dëmtuar ndërtesat në zonë.
Departamenti i meteorologjisë së Indisë tha se zonat e ulëta pranë bregdetit janë përmbytur për shkak të shiut dhe valëve të baticës që shoqërojnë ciklonin.
Shumë fshatra bregdetarë në shtetin e Bengalit Perëndimor, Orissa fqinje, u përmbytën nga uji i detit. Ekipet e ushtrisë janë vendosur për të shpëtuar 32 persona të bllokuar në një rreth bregdetar për shkak të një stuhie.
Zyrtarët e departamentit të motit thonë se presin që era të arrijë shpejtësinë 140km / h deri në 155km / h, raporton BBC.
Zyrtarët e rrethit në Orissa dhe shtetet e Bengalit Perëndimor thonë se ka miliona njerëz që jetojnë në zona bregdetare të pambrojtura.
Mbi 1.200 streha janë vendosur, në përputhje me normat e sigurisë anti Covid, ndërkohë që ekipet shëndetësore kanë mbërritur, megjithatë ekspertët e shohin të vështirë respektimin e distancës fizike.Ushtria indiane ka vendosur në gjendje gadishmërie 17 ekipe shpëtimi.
Cikloni Yaas vjen në një kohë kur India po lufton me valën e dytë vdekjeprurëse të infeksioneve Covid 19, dhe sistemet e kujdesit shëndetësor janë tashmë të mbingarkuar.
Krematoriumet, varrezat dhe spitalet, pavarësisht se kanë punuar me kapacitet të plotë, kanë pasur të pamundur të trajtojnë të gjithë të sëmurët dhe viktimat.
Top Channel