Rrëmbimi i avionit të Ryanair/ Opozita greke akuzon qeverinë për rolin e shërbimit të fshehtë

26/05/2021 02:10

Pasi Shefi ekzekutiv i kompanisë Ryanair, Michael O’Leary ka folur hapur për ekzistencën e agjentëve të fshehtë që kanë vepruar brenda Greqisë nën hundën e organeve greke, opozita në vend ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Mitsotakis që ka nën përgjegjësi Shërbimin Kombëtar Informativ, për paaftësi.

Reagimet kanë ardhur pas incidentit me avionin e Ryanair që është nisur ditën e dielë nga Athina për në kryeqytetin e Lituanisë, por mbi territorin e Bjellorusisë është lajmëruar që të ulet në kryeqytetin Minsk me pretekstin e dyshimeve për një bombë, ndërsa është shoqëruar edhe nga një avion ushtarak.

Por menjëherë pas uljes duket se autoritetet kanë pasur qëllim arrestimin e gazetarit Roman Protasevich dhe shoqën e tij ruse. Ndërsa kanë pasuar menjëherë sanksionet nga BE dhe kritikat e shumta për Bjellorusinë, është mësuar se gazetari në fjalë ka qenë në 6 Maj në Greqi për të mbuluar gjatë forumit të Delfit lideren e opozitës Bjelloruse Svetllana Tichanofskaja e cila është takuar edhe me presidenten greke apo me ministrin e Jashtëm Nikos Dhendias.

Siç transmetojnë mediat vendase, në Greqi gjatë kësaj kohe kanë mbërritur disa agjentë bjelloruse të cilët kanë ndjekur kundërshtaren e liderit të Bjellorusisë, Lukashenko, por edhe 4 prej tyre, gazetarin në fjalë që pas forumit ka bërë edhe disa ditë pushimi në Kretë. Ky i fundit,kritik i regjimit Lukashenko, duket se ka shkruar në blogun e tij se gjatë kohës së ndenjes në aeroportin e Athinës ka kuptuar se është ndjekur nga persona të dyshimtë.

Për ekzistencën e agjentëve të fshehtë në Athinë veprimtaria e të cilëve po hetohet tashmë dhe të cilët ndoshta kanë qenë edhe midis 127 pasagjerëve të avionit në fjalë, ka folur edhe ministri i Jashtëm irlandez, Saimon Koveni. Ndërkohë në listën që ka dhënë kompania Ryanair autoriteteve greke, duket se 43 pasagjerë të tjerë ndonëse kanë paguar biletën nuk kanë mbërritur në aeroport dhe kanë anulluar udhëtimin, dhe hetimi është përqendruar tek 8 prej tyre që kanë qëndruar ditët e fundit në hotelet e qendrës së Athinës.

Partitë opozitare greke kanë deklaruar se mekanizmat shtetërore në Greqi, mes tyre edhe shërbimi i fshehtë është kapur në gjumë, pasi nuk ka qenë në dijeni të veprimtarisë së agjentëve të huaj në vend.

Top Channel