Azerbajxhani dhe Armenia me akuza të ndërsjella për incidentin në kufi

26/05/2021 14:26

Azerbajxhani dhe Armenia kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për një incident të armatosur që ka ndodhur në zonën kufitare. Jerevani ka thënë se një ushtar është vrarë.

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se viktima u shënua më 25 maj si “si rezultat i një shkëmbimi zjarri nga trupat azerbajxhanase”.

Sipas njoftimit armen, pas këtij incidenti, situata është e qetë. Por, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit dha një version tjetër.

Sipas saj, forcat armene kanë shtënë me armë në drejtim të trupave të saj, përtej kufirit. Në fund të vitit të kaluar të dyja vendet u përfshin në një luftë gjashtë javore për rajonin e Nagorno Karabakut.

Nga konflikti humbën jetën 6.000 persona.

Luftimet u ndalën në nëntor të vitit 2020 pasi palët u pajtuan për armëpushim në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Rusia.

Armenia humbi kontrollin në disa pjesë të territorit të cilat armenët etnikë i kishin kontrolluar për dekada.

Nagorno Karabaku është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë që nga fillimi i viteve 1990./REL/

Top Channel