Nisin përgatitjet për takimin Biden-Putin, zgjidhet zona “neutrale”

25/05/2021 14:34

Uashingtoni dhe Moska janë ne ethet e përgatitjeve për takimin mes presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe atij rus, Vladimir Putin që pritet të mbahet në muajin qershor.

Përmes një deklarate të përbashkët, Këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan dhe homologu i tij rus, Nikolay Patrushev, sqaruan se konsultimet që po zhvillohen në Gjenevë janë një hap kyc në planifikimin e këtij takimi të pritur me interes të madh.

“Diskutimet ishin konstruktive dhe, megjithë dallimet, mundësuan një mirëkuptim të pozicioneve të njëri-tjetrit”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Edhe pse dita dhe vendi ku do të mbahet samiti mes Bidenit dhe Putinit do të bëhen të ditura më vonë, deri tani Gjeneva është përmendur si vendi i mundshëm i përballjes së madhe.

Presidenti amerikan gjatë vizitës në Europë pritet të marrë pjesë në një takim të G7-ës, grupit të vendeve më të zhvilluara të botës, pastaj do të ketë bisedime me udhëheqësit e BE-së dhe zyrtarët e NATO-s në Bruksel.

Krahas organizimit të samitit Biden-Putin, zyrtarët e lartë të sigurisë nga SHBA-ja dhe Rusia kanë diskutuar edhe për një sërë çështjesh tjera që kanë në fokus stabilitetin strategjik, e duket se palët kanë shfaqur tone optimizmi se për shumë prej mund të gjenden zgjidhje të pranueshme.

Top Channel