“Kemi gjetur gaz”, Turqia: Do të rifillojmë shpimet në Mesdheun Lindor! 

25/05/2021 14:49

Turqia mund t’i zgjerojë shpimet në kërkimin e saj për rezerva të gazit natyror në Mesdheun lindor dhe Detin e Zi, deklaroi ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dönmez.

Donmez sqaroi se në pjesën e Mesdheut, Turqia ka hapur tashmë 8 gropa në të cilat ka shenja të gazit natyror, por ky zbulim nuk konsiderohet si shumë i rëndësishëm ekonomikisht. “Ekspertët tanë po i kontrollojnë të dhënat pas çdo shpimi me informacionet e përftuara më parë. Mund të bëjmë disa shpime të reja pranë atyre zonave ku kemi parë shenja gazi”, tha ministri për Tv privat, A Haber.

“Koha do ta tregojë, por ne jemi plot shpresë. Vlerësojmë se aty ka potencial të madh”, shtoi ai. Tensionet u përflakën vitin e kaluar mes Turqisë, Greqisë e Qipros greke pikërisht për shkak të burimeve të energjisë e të drejtave në Mesdheun Lindor. Furnizimi nga fusha e gazit natyror Sakarya në Detin e Zi, zbulimi më i madh historik i Turqisë, pritet të fillojë në 2023.

Nëse gazi atje mund të nxirret komercialisht, zbulimi mund të transformojë të gjithë varësinë turke nga Rusia, Irani dhe Azerbajxhani për importet e energjisë.“Pritjet tona nuk janë të kufizuara në 405 miliardë metra kub. Ne shpresojmë t`i shtojmë kësaj edhe zbulime të reja. Le të presim deri në qershor. Ne nuk bëjmë deklarata po nuk patëm siguri. Rezultatet e veprimtarisë së fundit eksploruese do të jenë gati në qershor, ” sqaroi Dönmez.

Top Channel