Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken udhëton drejt Lindjes së Mesme

24/05/2021 18:25

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken udhëtoi ditën e sotme në Lindje të Mesme për të diskutuar me zyrtarë izraelitë dhe palestinezë, pas arritjes së armëpushimit javën e kaluar, që mundësoi ndalimin e luftimeve 11 ditore mes Izraelit dhe militantëve palestinezë.

Ndalesa e parë e Sekretarit Blinken do të jetë Izraeli dhe më pas ai do të vizitojë, Bregun Perëndimor, Jordaninë dhe Egjiptin.

“Blinken do të takohet me udhëheqësit izraelitë në lidhje me angazhimin tonë të fuqishëm për sigurinë e Izraelit”, tha presidenti amerikan, Joe Biden përmes një deklarate.

Vizita e tij  është pjesë e përpjekjeve të administratës amerikane për të mbështetur popullin palestinez.

Ndërsa në bisedime me zyrtarët e vendeve të rajonit, Blinken do të angazhohet për koordinim ndërkombëtar për të siguruar ndihma për Gazën.

Shtetet e Bashkuara synojnë të ndihmojnë Gazën në atë mënyrë që mjetet të mos bien në dorën e Hamasit, grupit që udhëheq me qytetin, por që konsiderohet terrorist nga Izraeli, SHBA-ja dhe vendet tjera perëndimore.

Administrata e Bidenit ishte kritikuar për reagimin e saj fillestar ndaj dhunës vdekjeprurëse.

Kritika ka pasur edhe nga aleatët demokratë në Kongres, të cilët po bënin thirrje për një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit dhe përgjigjen e tij ndaj sulmeve me raketa nga Hamasi.

Top Channel