Partitë e Unionit kërkojnë masa më të ashpra kundër antisemitizmit

24/05/2021 10:45

Antisemitizmi – përfshirë edhe “antisemitizmin e përditshëm” – është shkelje serioze, tha kreu i CSU, Söder. Krerët e Unionit CDU/CSU kërkojnë masa të rrepta kundër azilkërkuesve antisemitistë, deri në dëbimin nga vendi.

Udhëheqësi i partisë CSU, Markus Söder ka bërë thirrje për veprim më të ashpër kundër armiqësisë ndaj hebrenjve në Gjermani. “Në rastin e antisemitizmit, ne duhet të ndjekim vazhdimisht ata që kanë kryer vepra penale dhe duhet të përdorim të gjithë fuqinë e ligjit për dënimin e tyre”, tha kryeministri bavarez për gazetat e grupit mediatik Funke.

“Antisemitizmi i përditshëm” është gjithashtu një shkelje e rëndë. Söder e konsideron të domosdoshme edhe një “ide të ri-integrimit”. “Në fund të fundit duhet të jetë e qartë: Qoftë të krishterë, myslimanë, hebrenj, budistë, hinduistë apo ateistë – të gjithë duhet të ndjehen si qytetarë gjermanë dhe të jetojnë filozofinë e një shoqërie të lirë, demokratike”, tha Söder.

Asnjë mirëkuptim për ngjarjen në Hagen

Kryetari i CSU, Söder e kritikoi administratën e qytetit në Hagen me fjalë të qarta. Javën e kaluar ata kishin ulur një flamur të Izraelit, i cili u ngrit të njëjtën ditë. Administrata e qytetit e arsyetoi këtë me dëshirën për “de-eskalimin” e situatës dhe një “kërkesë urgjente nga policia”. “Unë jam i tronditur me zhvillimet në qytetin Hagen, ku është ulur flamuri izraelit nga frika e armiqësisë. Frika nuk është ndonjë opcion. Ata që tërhiqen nga antisemitizmi vetëm i forcojnë ata edhe më shumë.”

Kreu i deputetëve të partisë CSU në Bavari, Alexander Dobrindt ka bërë thirrje që azilkërkuesit që kanë marrë pjesë në demonstrata dhe kanë shprehur urrejte kundër Izraelit të dëbohen.”Kushdo që i mohon Izraelit të drejtën për të ekzistuar, lëshon parulla antisemitizmi, përhap urrejtje kundër hebrenjve dhe bën thirrje për dhunë, ka humbur të drejtat mbrojtëse dhe duhet të largohet nga vendi ynë,” tha Dobrindt për gazetën “Bild am Sonntag”.

Sipas gazetës, disa azilkërkues morën pjesë në demonstrata të dhunshme kundër Izraelit në landi Renania Veriore-Vestfali. “Disa azilkërkues” ishin në mesin e të dyshuarve, citoi gazeta një zëdhënës të Ministrisë së Brendshme të NRW. “Pavarësisht se kush po demonstron dhe pavarësisht nga kultura në të cilën ai u rrit: Në Renaninë Veriore-Vestfali nuk do të pranojmë ndonjë urrejtje ndaj bashkëqytetarëve tanë hebrenj,” tha ministri i Brendshëm i këtij landi Herbert Reul nga partia CDU, për gazetën “BamS”.

Sipas nënkryetarit të Kongresit Botëror Hebre (WJC), Maram Stern, nuk mund të ketë dy anë të antisemitizmit. “Nuk mund të ketë madje as neutralitet,” shkroi ai në një artikull për “Der Hauptstadtbrief”.

Kushdo që brohoret “Free Palestine!”, “ai duhet të mendojë prapë se cilin model të shoqërisë po propagandon në të vërtetë”, tha Stern. Gaza është “prototipi i ‘Shtetit Islamik'”. Në Gazë nuk ka pasur zgjedhje prej vitit 2006, ka tortura në burgje, fëmijët e vegjël edukohen në frymën e terrorizmit. Për më tepër, nuk ka asnjë ide konstruktive të bashkimit atje: “Në Gazë, antisemitizmi është në vetë bazën e shtetit”.

Weber dëshiron të kontrollojë librat e shkollës

Manfred Weber, kryetari i grupit EPP në Parlamentin Evropian, bëri thirrje për një rishikim të menjëhershëm të librave shkollore në territoret palestineze nga autoritetet përgjegjëse të BE. Në parim është e saktë që BE duhet të promovojë shkollimin në territoret palestineze. Por nuk është e pranueshme nëse antisemitizmi mësohet në librat shkollorë palestinezë, tha Weber për “Bild am Sonntag”.

Deutschland I Aktion gegen Antisemitismus I Synagoge in Gelsenkirchen
Ditët e fundit ka pasur sulme antisemitiste dhe teprime në tubimet në Gjermani. Flamujt izraelitë u dogjën dhe institucionet hebraike u sulmuan.

Këshilli Qendror i Hebrenjve kritikon ligjin penal gjerman

Këshilli Qendror i Hebrenjve ka kritikuar faktin se ligji penal gjerman shpesh nuk lejon ndërmarrjen e veprimeve kundër mesazheve të urrejtjes. “Ne aktualisht marrim rreth 50 mesazhe urrejtjeje në ditë,” tha kryetari i Këshillit Qendror, Josef Schuster për gazetën “Bild am Sonntag”. Shumica e personave e kanë ditur saktë se çfarë duhet të shkruajnë, në mënyrë që të mos ndiqen penalisht për sulmet verbale.

Komiteti Ndërkombëtar i Aushvicit gjithashtu shprehu shqetësim. “Çdo sulm antisemitist gjatë protestave, çdo flamur i djegur i Izraelit, çdo yll hebre i shkatërruar, konfirmon se diçka ka rrëshqitur në shoqëri,” tha nënkryetari i komitetit, Christoph Heubner. Kjo tregon se autorët e krimeve shpresojnë mbështetjen e heshtur për urrejtjen e tyre ndaj hebrenjve./DW/

Top Channel