Mbi 300 mijë persona humbin jetën si pasojë e koronavirusit në Indi

24/05/2021 09:14

Numri i personave që kanë humbur jetn nga koronavirusi në Indi ka kaluar shifrën 300 mijë. Ekspertët paralajmërojnë se shifra reale e viktimave mund të jetë shumë më e madhe, pasi shumë vdekje nuk janë raportuar zyrtarisht.

BBC raporton se India ka regjistruar 26 milionë raste, vendi i dytë pas Shteteve të Bashkuara dhe tani është epiqendër e pandemisë globale. Ky shtet po ashtu është i treti në botë që ka regjistruar më shumë se 300 mijë viktima, pas SHBA-së dhe Brazilit.

Vala e dytë e pandemisë ka mbingarkuar sistemin shëndetësor të këtij shteti, pasi spitalet me vështirësi janë përballur me fluksin e pacientëve dhe mungesën e oksigjenit.

Në disa zona edhe krematoriumet (vendet ku digjen viktimat) kanë qenë të mbushura dhe njerëzit kanë qenë të detyruar të krijojnë krematoriume të improvizuara nëpër parqe, për familjarët e tyre.

Aktualisht, as shkalla e vaksinimit nuk është duke shënuar përparim të madh në Indi, çka do të mund të ndikonte në lehtësim të krizës.

Top Channel