Konflikti izraelito-palestinez, Anthony Blinken shkon në Lindjen e Mesme

24/05/2021 14:41

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, udhëton në Lindjen e Mesme dy ditë pasi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi.

Në udhëtimin e tij të parë në rajon si diplomati më i lartë amerikan, Blinken do të takohet me udhëheqës izraelitë, palestinezë dhe rajonalë. Shtetet e Bashkuara thanë se janë të përkushtuara për të punuar me Autoritetin Palestinez dhe Kombet e Bashkuara, për të siguruar ndihmë të shpejtë humanitare dhe mbështetje ndërkombëtare për Gazën dhe përpjekjet për rindërtimin e saj, thotë VOA.

“Përqendrimi ynë i vazhdueshëm është të merremi me situatën humanitare, duke filluar rindërtimin dhe të angazhohemi intensivisht me të gjithë, me palestinezët, me izraelitët, me partnerët në rajon,” tha më herët Blinken për CNN. Ndërkohë, ndërmjetësuesit egjiptianë udhëtuan përtej kufirit të Gazës dhe u takuan me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, rivali kryesor i Hamasit me seli në Bregun Perëndimor, në një përpjekje për të ruajtur armëpushimin. Egjipti ndërmjetësoi armëpushimin e Gazës midis Izraelit dhe militantëve palestinezë të udhëhequr nga Hamasi.

Mjaft ekspertë thonë se armëpushimi nuk do të zgjidhë çështjet afatgjata që kanë parandaluar një zgjidhje të konfliktit. Blinken tha të dielën se Shtetet e Bashkuara besojnë se është koha për një zgjidhje që ofron “të drejta të barabarta të izraelitëve dhe palestinezëve”.

Top Channel