SHBA/ Ende jo marrëveshje për paketën e infrastrukturës

23/05/2021 06:59

Shtëpia e Bardhë tha të premten se e kishte reduktuar paketën financiare të infrastrukturës në 1.7 trilionë dollarë nga 2.25 trilionë dollarë, me shkurtime investimesh për internetin e shpejtë, si edhe në ndërtimin e rrugëve dhe urave, por republikanët nuk i pranuan këto ndryshime duke i quajtur të pamjaftueshme për një marrëveshje.

Përpjekja e Shtëpisë së Bardhë reflekton një dëshirë të Presidentit Joe Biden për t’u angazhuar me partinë e opozitës për një çështje që presidenti demokrat e ka bërë përparësi që në ditët e tij të para në detyrë. Por të dyja palët janë ende shumë larg njëra-tjetrës, nga përmasat e paketës deri tek mënyra se si do të financohet ajo.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë patën një telefonatë me një grup senatorësh republikanë të premten për të diskutuar disa nga mosmarrëveshjet e tyre dhe për të paraqitur një variant të ri. “Propozimi tregon gatishmërinë për ta zvogëluar paketën, duke bërë lëshime në disa fusha që janë të rëndësishme për presidentin, por duke mbetur të vendosur për disa drejtime që janë më jetike për rindërtimin e infrastrukturës dhe industrive tona për të ardhmen,” u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Disa aspekte që ishin hequr nga propozimi i ri, të tilla si investimet në kërkim dhe zhvillim, do të përfshiheshin në projekt-ligje të tjera, tha ajo. Senatorët republikanë Shelley Moore Capito, John Barrasso, Roy Blunt, Mike Crapo, Pat Toomey dhe Roger Wicker kanë paraqitur propozimin e tyre, i cili është shumë më i vogël se versioni i Shtëpisë së Bardhë. Ata thanë se propozimi i Shtëpisë së Bardhë nuk mund të miratohej në Kongres me mbështetje dypartiake.

“Duke u nisur nga takimi i sotëm, grupet duken më larg pas dy takimeve me stafin e Shtëpisë së Bardhë sesa ishin pas një takimi me Presidentin Biden,” thanë senatorët në një deklaratë, duke shtuar se ata do të vazhdonin të angazhoheshin me administratën. Një dokument i Shtëpisë së Bardhë tregon që propozimi i ri i zotit Biden do të ulte shpenzimet për internet të shpejtë në 65 miliardë dollarë, nga 100 miliardë dollarë propozuar fillimisht. Shpenzimet për rrugë, ura dhe projekte të mëdha të infrastrukturës do të ulen në 120 miliardë dollarë, nga propozimi fillestar i presidentit Biden prej 159 miliardë dollarësh, por shumë më tepër se 48 miliardë dollarë të kërkuar nga republikanët.

Top Channel