Zbulimi i kafkave “aliene”, media amerikane: Zgavra e syrit, e pazakontë!

22/05/2021 18:23

Nuk u desh shumë që të bëhej ‘viral’ një postim mbi disa kafka të lashta peruane dhe pretendimet e tij se janë dëshmi e faktit që alienët e kanë vizituar vërtet planetin tonë.

Postimi u fshi më pas nga Facebook-u, por gazeta USA Today i kushtoi një artikull te gjate teorive të konspiracionit që rrethonin këtë njoftim, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë tek zgjatimi i pazakontë i pjesës së pasme të kafkave në fjalë dhe zgavrat e syve, te cilat siç thotë nuk ngjasojnë me ato të kafkave njerëzore.

Me qindra kafka të tilla u zbuluan në rajonin e Paracas në Perunë e viteve 1920 nga arkeologu Julio Tello e që prej atëherë, kanë qenë subjekt spekulimesh të forta, të cilat janë rikthyer edhe së fundi.

Postimi i Facebook-ut evidentonte pikërisht pjesën e syve si elementin i cili i ka shpëtuar diskutimeve të shtrira në kohë e qe janë përqendruar me së shumti tek forma e zgjatur e kafkave. Ai përmbante dhe një video ku një djalë dëgjohej të thoshte në spanjisht se kishte gjetur kafka të çuditshme e të deformuara në malet e qytetit Huancavelica.

Sipas USA Today, videoja duket 100% e vërtetë. Shumë ekspertë megjithatë ndajnë bindjen se këto kafka janë njerëzore, dhe se forma e tyre e zgjatur i detyrohet fashimeve të forta të kokës, që duket se praktikoheshin nga peruanët e lashtë.

Top Channel