Numri i viktimave nga koronavirusi mund të jetë tre herë më i lartë se ai që është raportuar zyrtarisht, deklaroi zv/drejtorja e pergjithshme e OBSH-së, Samira Asma.
Organizata vlerëson se deri në muajin maj 2021 rreth 3 deri në 4 milionë njerëz kanë vdekur si pasojë e Covid 19.
“Në të vërtetë ky numër mund të jetë dy ose tre herë më i lartë. Unë mendoj se në të vërtetë mund të jenë rreth 6 deri në 8 milionë vdekje“, u shpreh Asma. Analisti i të dhënave në OBSH, William Msemburi dha detaje të kësaj llogaritjeje, duke sqaruar se ky vlerësim përfshin vdekjet e pa raportuara si dhe vdekjet për shkak të mungesës së kapacitetit spitalor, masave të izolimit që kanë kufizuar lëvizjen dhe faktorëve të tjerë.
Koronavirusi u zbulua për herë të parë në Wuhan të Kinës, në fund të vitit 2019. Pekini zyrtar nuk i pranoi asnjëherë akuzat për daljen e virusit nga laboratori. Një ekip ekspertësh ndërkombëtarë udhëtuan drejt këtij qyteti në muajin janar për të hetuar origjinën e virusit.
Ekipi e ka hedhur poshtë teorinë që virusi të ketë dalë nga laboratori, por hulumtimi i tij është mbështetur në kampione dhe prova të cilat i janë ofruar nga vetë zyrtarët kinezë.
Top Channel