Gjermania po përpiqet të kthejë Ballkanin Perëndimor në prioritet të BE.

Këtë ka mundur të kuptojë edhe ministrja serbe, Jadranka Joksimovic gjatë vizitës në Berlin, ku iu desh megjithatë të dëgjonte edhe kritikat ndaj Beogradit.

Qeveria gjermane ka bërë të ditur, se do të insistojë në ringjalljen e Procesit të Berlinit, i cili u largua nga vëmendja për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të mungesës së ideve të reja si dhe mungesës së interesit të shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit. Ministrja Joksimovic, përmes bisedimeve me Michael Roth, Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e siguroi Gjermaninë se Serbia është ende e përkushtuar në rrugën drejt integrimit në BE.

Por, në një bisedë me DW para takimit me ministren serbe, kryetari i grupit parlamentar të Bundestagut për Evropën Juglindore dhe një nga ekspertët më të mirë për situatën në rajon, deputeti socialdemokrat (SPD) Josip Juratovic, nënvizoi vërejtjet e vjetra ndaj Serbisë – mangësitë në fushën e sundimit të ligjit, mangësitë në fushën e drejtësisë dhe lirisë së mediave. Edhe deputetja Renate Alt, e cila është përgjegjëse e Evropës Juglindore në Partinë Liberale (FDP), thotë për DW, se pengesa më e madhe për Serbinë qëndron në fushën e drejtësisë, lirisë së mendimit dhe sundimit të ligjit.

Serbia në këtë rrugë ka bërë hapa mbrapa e jo përpara“, theksoi Alt, duke shtuar se “nuk është për t’u habitur që Serbia nuk hapi ose mbylli asnjë kapitull negociimi vitin e kaluar“.

Juratovic, shprehet se “Serbia duhet më në fund të vendosë, nëse e do Europën e Orbanit dhe Grupit të Vishegradit, të cilat në BE janë vetëm për shkaqe ekonomike, apo do realizimin e vlerave evropiane. Ne nuk e dimë se çfarë po do Serbia. Ajo do të ketë raporte të mira me të gjithë dhe të rrijë ulur në dy karrige“, deklaroi ligjvënësi socialdemokrat.

Top Channel