Hamasi: Armëpushim brenda dy ditësh, Izraeli shton sulmet

20/05/2021 15:50

Një zyrtar i lartë i Hamasit pohoi se pret që Izraeli dhe militantët në Gaza të arrijnë një armëpushim brenda një ose dy ditësh, por sulmet ndërkufitare ndërkohë vazhdojnë me intensitet të shtuar.

Kryeministri izraelit Beniamin Netanyahu duket i palëkundur nga qëndrimi i tij se “ofensiva do të vazhdojë deri sa të arrihet qetësia dhe siguria për qytetarët e vendit të tij”. Dita sot nisi me më shumë se 100 sulme ajrore shpaguese të Izraelit mbi infrastrukturën e Hamasit në Gaza, ndërsa militantët u përgjigjën me të vetmen mënyrë që njohin: lëshimin e raketave drejt qyteteve izraelite.

Sulmet vijnë teksa përpjekjet diplomatike që synojnë një armëpushim po forcohen dhe ndërsa infrastruktura e Gazës, e dobësuar tashmë nga një bllokadë 14-vjeçare, po përkeqësohet me shpejtësi.

Furnizimet me medikamente mjekësore, ujë e karburant po mbarojnë në këtë territor, ndaj të cilit Izraeli dhe Egjipti kanë vendosur bllokadë pasi grupi militant islamik Hamas mori pushtetin në 2007. Luftimet filluan më 10 maj kur Hamasi lëshoi raketa me rreze të gjatë veprimi drejt Jeruzalemit pas disa ditësh përplasjesh mes protestuesve palestinezë dhe policisë izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, një pikë e nxehtë për hebrenjtë dhe myslimanët.

Taktikat e ashpra të policisë në këtë kompleks dhe kërcënimi për dëbim i dhjetëra familjeve palestineze nga hebrenjtë krijuan tensione. Të paktën 227 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore, përfshirë më shumë se 100 gra e fëmijë, ndërsa 1.530 vetë janë plagosur.

Top Channel