Punonjësit ‘prishin’ planin e grabitjes/ Zbulojnë rastësisht tunelin thuajse të kompletuar drejt bankës në Gjermani (fotot)

19/05/2021 15:56

Një skuadër punonjësish ndërtimi në Gjermani duket se kanë prishur planin e një grabitjeje në stil Hollywood-i kur zbuluan rastësisht një tunel të papërfunduar drejt kasafortës së një banke.

Zbulimi erdhi si pasojë e punimeve rutinë të mirëmbajtjes në degën e Volksbank në qytezën e Spenge, Rhine-Westphalia, për të inspektuar rënien e nivelit të trotuarit para hyrjes së bankës. Grupi i ndërtuesve fillimisht besonte se dëmi kishte ardhur nga ujërat, por pas gërrmimit rreth dy metra, ata zbuluan dërrasat që mbulonin tunelin e fshehtë të grabitësve.

Më pas policia u njoftua për zbulimin e pazakontë dhe pas inspektimeve u pa që tuneli ishte  gati 10 metra i gjatë dhe një metër i gjerë, i siguruar me dërrasa.

Kalimi i nëndheshëm niste pranë një transformatori të rrjetit vendas të energjisë dhe afrohej drejt themeleve të bankës, por muret e saj nuk ishin thyer.

Në kabinën e transformatorit ishin ndërruar kyçet e hyrjes, që do të thotë se grabitësit e kishin siguruar ate për veten e tyre, duke supozuar se kompania elektrike nuk kontrollonte shpesh vendin.

Një punonjës i bankës e përshkruante zbulimin si çmenduri,” duke shtuar se diçka të tillë mund ta shohësh vetëm në televizion”.

Por një zëdhënës i Volksbank tha se me shumë gjasa grabitësit nuk do të kishin sukses edhe nëse e kompletonin tunelin. Ai shtoi se banka është e sigurtë ndaj hyrjeve të dhunshme, dhe nuk mban rezerva të mëdha parash.

Policia tha se deri tani nuk ka ende të dyshuar për grabitjen e dështuar.

Zhvillimi është i ngjashëm me një grabitjeje në Berlin në 2013, kur kriminelet gërrmuan një tunel 30 metra të gjatë drejt një dege të së njëjtës bankë në Steglitz, Berlin, ku morën më shumë se €10 milionë, në para e sende me vlerë.

FOTO GALERI
2/5
Pas bastisjes grabitesit kishin djegur tunelin per te zhdukur gjurmet

Top Channel