Një 49-vjeçar, i dënuar nga gjykata e Vlorës, për vrasje me dashje dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Itali dhe më pas është ekstraduar drejt Shqipërisë.
Sipas policisë, Ardjan Hoxhaj, në vitin 1995, ka vrarë me thikë shtetasin me iniciale A.A. dhe ka plagosur të vëllanë. Për krimin e kryer, ai është dënuar me 16 vite e 8 muaj burg.
Ndërkohë, Interpol Tirana, njofton edhe esktradimin e 50-vjeçarit Arian Katreli, pasi nga gjykata e Durrësit është dënuar me 10 vite burg për mashtrim.
Njoftimi i Interpol Tirana:
Vijon bashkëpunimi me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Falë bashkëpunimit me homologët italianë janë kapur dhe ekstarduar nga Italia drejt vendit tonë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Është ekstraduar nga Roma/Itali drejt vendit tonë shtetasi shqiptar Ardjan Hoxhaj, 49 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 16 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Shtetasi Ardjan Hoxhaj, në vitin 1995, në Vlorë, ka vrarë duke e goditur me thikë në kraharor shtetasin A. A. dhe ka plagosur vëllanë e tij, shtetasin G. A.
Gjithashtu është kryer ekstradimi nga Italia drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Arian Katreli, 50 vjeç, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 10 vite burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.
Personat e ekstraduar në PKK Rinas i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Top Channel