Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi qindra kilogramë kokaine janë kapur ditën e sotme në Lipjan të Kosovës, brenda një kamionë që mbante produkte mishi dhe që ka kaluar nga porti i Durrësit.
Sveçla, përmes një postimi në rrjete sociale falënderon partnerët aleatë q ndihmuan në këtë operacion dhe përgëzon policinë e Kosovës.
Postimi i plotë:
Sot gjatë një aksioni të koordinur me institucionet e partnerëve tanë, Policia e Kosovës ka kapur një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar, kokainë.
Falënderoj institucionet e partnerëve tanë aleat që ndihmuan në këtë zbulim dhe përgëzoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kryerjen e shkëlqyeshme të detyrës së tyre.
Republika e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit.
Pas 14 shkurtit, Republika e Kosovës nuk do të jetë më streha e kriminelëve.
Bahri Shala, kreu i Drejtorisë së Anti Drogës tha për Top Channel se sasia e kapur e kokainës është 300-400 kilogramë.
Duke qenë se operacioni ishte në zhvillim, u raportua paraprakisht se sasia e kokainës ishte në masën 2.2 ton. Vendi ku është sekuestruar kokaina është në hyrje të qytetit të Lipjanit në afërsi të stacionit të zjarrfikësve.
Kamioni i kuq me targë 01 263 ODME me këtë sasi kokaine ka qenë fillimisht në Durrës duke kaluar përmes pikës kufitare të Vermicës, ndërsa nuk dihet se cili ka qenë destinacioni përfundimtar i tij dhe kush fshihet pas kësaj sasie të madhe droge.
Operacioni u krye në bashkëpunim me policinë shqiptare, kosovare dhe atë italiane, ku pala shqiptare për 15 ditë e kishte mbajtur në vëzhgim që nga ardhja në portin e Durrësit.
Top Channel