Me pankarta në duar, gra dhe vajza, shoqëria civile dhe qytetarë janë mbledhur në një marshim kundër dhunës në shenjë ndërgjegjësimi pas vrasjes së Liljana Buzos, disa ditë më parë, nga bashkëshorti i saj, pranë Gjykatës së Elbasanit.
Marshimi ka nisur nga sheshi “Gensher” dhe po shkojnë drejt dyerve të Gjykatës. Gratë kanë zënë rrugën e makinave, hapësirën publike dhe kërkojnë sensibilizimin e të gjithë qytetarëve që të bashkohen me to kundër dhunës, sidomos të burrave. “Tregoni që nuk jeni si ata dhe bashkohuni me ne”, thonë gratë.
“Ditën e premte Liljana Buzo u vra pikërisht këtu, Gjykata e Elbasanit dështoi për ta mbrojtur. Të gjithë persona që janë këtu, të gjithë burrat, ju duhet të prisni sepse ne kemi zaptuar rrugën, kemi zaptuar hapësirën publike që zakonisht është e zaptuar nga të gjithë ju, që jeni të gatshëm të vrisni gratë pa ju dridhur qerpiku. Ne nuk lëvizim nga këtu. Jeni të shqetësuar sepse gratë kanë zënë hapësirën publike, ju duhet ta kuptoni që gratë ndihen kështu 365 ditë të viti prej jush. Gratë nuk janë vetëm, gratë kanë zë, ne kemi solidaritet me njëra tjetrën”, dëgjohet të thotë një prej grave, teksa një tjetër thotë: “Ne jemi këtu për gratë e vrara dhe për gratë që jetojnë”.
“Gjykata është shteti, shteti patriarkal, që na dhunon ne, fajtor jo nuk ka. Gjykata është kapitali, kapitali di gjithçka, që na shfrytëzon neve, barazi nuk ja ka. Është kërcënim, është përdhunim, sepse faji nuk ishte i imi, sepse faji nuk ishte i imi as çfarë isha as çfarë vishja. Dhunuesi je ti, është shteti”, thonë të gjitha njëzëri.
Kujtojmë se, Luljeta Bozo u qëllua për vdekje me kallashnikov nga bashkëshorti i saj pak ditë më parë.
58-vjeçari nuk hezitoi të qëlloje gruan, edhe pse kjo e fundit shoqërohej nga djali i tyre 18-vjeçar dhe avokati mbrojtës, i cili gjithashtu mbeti i plagosur.
Ngjarja ndodhi në dyert e gjykatës, e cila edhe këtë herë nuk arriti të mbrojë një grua, e cila gjithë jetën vuajti dhunën e ushtruar nga bashkëshorti.
Ishin kalimtarët ata që arritën të neutralizojnë vrasësin, pasi pasojat mund të ishin edhe më të rënda teksa breshëria e automatikut përfshiu mes kalimtareve të rastit.
Koço dhe Liljana Buzo ishin prindër të 3 fëmijëve, një vajze 26 vjeçe dhe dy djem 20 dhe 18 vjeç.
Gjykata e Elbasanit vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për bashkëshortin, Koço Buzo.
Top Channel