Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e ditës së djeshme ku mbeti i vrarë 38 vjeçari, Bledar Birçaj. Mësohet se në momentin e vrasjes Bledar Birçaj ka qenë i shoqëruar me një shokun e tij, policin e antidrogës, Granit Deromema tek zona e njohur si Bishti i Kalldrëmit për të shkuar në qytet.
Dy persona të veshur me të zeza kanë filluar të godasin në drejtim të automjetit tip BMW dhe kanë qëlluar plot 30 herë. 7 gëzhoja e kanë kapur viktimën në gjoks, trup e kokë duke e lënë në vend të pajetë. Personi pasagjer në momentin e sulmit i ka pikasur, është ulur poshtë sediljes së makinës duke i shpëtuar plumbave. Autorët ishin dy, por mendohet të jenë ndihmuar nga të tjerë që i kanë sinjalizuar se Birçaj po afrohej në zonën ku ata i kishin zënë pritë.
Në policinë e Vlorës janë pyetur rreth 20 persona dhe po vijojnë të merren në pyetje dëshmitar okularë, të afërm, shokë, familjarë, dëshmitarë okular, pronarë biznesesh. Mes tyre është pyetur dhe shoku që ishte në atë moment me viktimën, polici i antidrogës, i cili në dëshminë e tij shprehet i terrorizuar nga sulmi, por s’ka mundur të njohë autorët pasi ishin të maskuar, për më tepër është shprehur se s’ka dijeni për motivet e ngjarjes përse ka ndodhur.
Deri më tani s’ka autorë të arrestuar, por policia është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e tyre. Mendohet se autorët janë larguar në drejtim të fshatrave të lumit të Vlorës ose në periferi të qytetit. Në lidhje me ngjarjen dhe humbjen e gjurmëve dyshohet se autorët kanë përdorur një tjetër taktikë, duke e fshehur automjetin në grazhd apo banesë të zonës për të humbur çdo gjurmë dhe jo duke i vënë flakën.
Arma e atentatit është kallashnikov i modelit mod 56 kalibri 7.62. Kanë qenë dëshmitarët e pyetur në vendngjarje, të cilët kanë treguar për një automjet të llojit “Benz” ngjyrë gri, por pa mundur që policia t’i kapë autorët të cilët janë larguar. Ata mendohet se kanë kaluar nga drejtimi i Kuzumbabasë për t’i zënë pritë.
Ndërkohe burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se janë shoqëruar tre persona të dyshuar kryesor për ngjarjen, por dyshohet se pista kryesore ku po hetohet janë prishja e pazareve të drogës në Spanjë.
Top Channel