Kujtimet e miqve dhe të ish-kolegëve, vlerësimi i tyre i sinqertë, edhe pas shumë vitesh të ikjes nga kjo jetë, për një njeri që, siç kujtojnë ata, gëzohej së tepërmi me suksesin e të tjerëve.

E parë përmes lenteve të kontekstit historik, nuk është e vështirë të kuptosh ndikimin pozitiv që Drago Siliqi pati në kohën kur ai jetoi. Në një kohë kur lufta e klasave forcohej vazhdimisht ai qëndroi në anën e progresit: i dha mundësinë për të ushtruar profesionin e përkthyesit intelektualëve me vlerë dhe mjeshtërve të përkthimit, një pjesë e të cilëve kishin vuajtur dënimet e diktaturës dhe ishin izoluar si të tillë, si Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Vedat Kokona, Sotir Caci, Gjon Shllaku, Klio Evangjeli, Robert Shvarc…

Në vitet kur ai ishte Drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, e vetmja në atë kohë, lexuesi shqiptar u njoh për herë të parë me krijmtarinë e kolosëve të letërsisë botërore si Gollsuorthit, Drajzerit, Hemingueit, Eluarit, Remarkut e sa e sa të tjerëve. Poezia ishte dashuria e tij e parë si shkrimtar. Ndonëse u nda nga jeta kur ishte vetëm 33 vjeç, im atë la pas poezi të ndjera, si “Atdheu”, “Nana”, “Dashunia”, apo poemën filozofike

“Kangë e re për dashuninë e vjetër”, një vepër që vazhdon të vlerësohet për analizën psikologjike të personazheve, si dhe për temën e kurbetit që mbetet ende aktuale. Kolegët e tij shkrimtarë e mbajnë mend si kritikun e tyre të drejtë e të paanshëm, që i analizoi e i vlerësoi veprat e tyre, që mbrojti teza mjaft të avancuara për kohën, duke kritikuar skematizimin e formalizmin në art,tendenca që po viheshin re në rritje në atë kohë; ai në analizën që i bënte veprës përmbajtjen e merrte të lidhur ngushtë me formën. Në debatin e fillimit të viteve ’60, kur u vunë përballë dy grupe krijuesish, ata tradicionalë e konservatorë dhe ata të sapoafirmuar, si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Dhori Qiriazi, Vangjush Ziko e të tjerë, ai vlerësoi dhe doli në mbrojtje të poetëve e shkrimtarëve të rinj, që sollën një frymë moderne në letërsinë shqipe.

Vajza e tij Laura Konda shkruan se, synimi i saj në ribotimin e kësaj vepre përmbledhëse të poezive dhe kritikave të babait të saj, si dhe i disa prej shkrimeve dhe kujtimeve të ish-kolegëve e miqve të tij, të botuara në shtypin e kohës dhe shumë vite më pas, është që lexuesi të njihet jo thjesht me Drago Siliqin, botuesin, shkrimtarin e kritikun, krijimtaria e të cilit u ndërpre në mënyrë tragjike në moshën 33-vjeçare, por përmes tij, edhe me kohën kur ai jetoi, duke lënë gjurmën e një njeriu që e dashuroi letërsinë dhe po aq shumë edhe njerëzit. Siç e parashikoi vetë, Drago Siliqi kredon e tij, “Ka zogj që gjithë jetën fluturojnë,/ edhe vdesin duke fluturuar./ Ka dhe zogj që plehrave rrëmojnë/ dhe në çerdhe ngordhin të harruar”.

Dy fjalë për autorin
Drago Siliqi lindi më 9 qershor të vitit 1930 në Tiranë, në një familje me tradita patriotike. Bir i poetit Bllazho Siliqi dhe nip i rilindësit të shquar Risto Siliqi, Dragoja u lidh fare i ri me Luftën Antifashiste. Në fillim të viteve 1950, ai punoi në shtypin e rinisë dhe të fëmijëve dhe filloi të botojë vjershat e para. Nga viti 1952 deri në vitin 1957 studioi në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitet 1957-1958, punoi si korrespondent i gazetës “Zëri i popullit” në Shkodër. Në vitin 1958 filloi punën si redaktor e më pas drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, ku punoi derisa humbi jetën më 13 korrik të vitit 1963, në një aksident ajror në Irkutsk të Rusisë.
Drago Siliqi ishte poet, kritik letrar dhe botues; ai i ka lënë trashëgim letërsisë shqipe poezi të frymëzuara, si dhe një numër artikujsh kritikë.

Ai drejtoi me aftësi dhe pasion shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe bëri të mundur botimin në shqip të shumë kryeveprave të letërsisë botërore. Vëllimi i tij i parë me poezi, “Zgjimi i pranverës”, u botua në vitin 1950 dhe më pas u ribotua në vitin 1965. Krijimtaria e Drago Siliqit është përmbledhur në disa botime: “Kur zemra flet” (1970); “Poezi të zgjedhura për fëmijë” (1976); “Çdo vit agimet zbardhëllojnë” (1977); “Në kërkim të së resë” (1969, 1973, 1987); “Vepra letrare” botuar në dy vëllime (1986) dhe “Poezi të zgjedhura” e “Në kërkim të së resë” në dy vëllime (2000). Drago Siliqi la pas bashkëshorten e tij, Drita Shundi Siliqi (1933-2013), dhe dy vajzat Darina Siliqi Demiri e Laura Siliqi Konda.

Të dhëna për librin
Titulli i librit: Një jetënë fluturim
Cmimi: 1.500 Lekë
Autori: Drago Siliqi
Top of Form
Shtëpia botuese: Toena
Viti i publikimit: 2020
Numri i Faqeve: 302

Top Channel