Top Channel ka siguruar fotografinë e 40 vjeçarit që u ekzekutua me breshëri kallashnikovi gjatë mesditës së sotme në qytetin e Vlorës.

Bledar Birçaj kishte vetëm tre javë që ishte kthyer në Shqipëri nga Spanja, ku edhe jetonte. Atentati ndaj tij ndodhi në  lagjen “Hajro Çakërri”, ku 40-vjeçari po lëvizte me makinën tip BMW dhe i dolën në pritë. Pasi u qëllua me breshëri kallashnikovi, Bledar Birçaj u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ia doli t’i mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë.

40-vjeçari ishte pronar i bar-kafe në qytetin e Vlorës. Në ekstraktin e QKB rezulton se ishte pronar i një biznesi në fushën e veprimtarisë bar-kafe, birrari dhe tregti me pakicë e artikujve të ndryshëm.

Mbetet e paqartë se sa persona kanë qenë në momentin që kanë qëlluar me armë drejt automjetit. Policia është vënë në ndjekje të një makine, në të cilën dyshohet të jenë autorët e atentatit.

Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë  ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të  rrethanave të ngjarjes. Shërbimet e Policisë të D.V.P. Vlorë, të Komisariatit të Policisë Vlorë   po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim  kapjen e autorit.

E shkuara e tij kriminale

Në janar të 2011, Birçaj u arrestua  në Vlorë si i dyshuar për vrasje, duke iu vendosur masa e arrestit me burg me afat 45 ditë. Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin  të marsit 2011, ka caktuar si masë sigurimi “arrestit në burg” pa afat.

Në prill masa ndaj tij ndryshoi nga Gjykata e Vlorës nga “arrest në burg” me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masën detyruese “ndalim të daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve. Por në korrik 2011 u vendos  pushimi i hetimit penal në ngarkim të Bledar Birçaj  duke u lënë i lirë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA