Greqia do të jetë mbështetësja kryesore në rrugën europiane të Shqipërisë,deri në integrimin e plotë të saj në Bashkimin Europian.

Lajmi konfirmohet nga ministri i jashtëm grek Nikos Dendias, i cili pati një takim me ambasadoren shqiptare në Athinë, Luela Hajdaraga.

Sipas zotit Dendias, dy vendet tona veçse fqinj, janë miq të mirë dhe Athina do të gjendet pranë vendit tonë sfidat e integrimit, por edhe në ato të bashkëpunimit rajonal.

Nikos Dendias përgëzoi kryeministrin shqiptar për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit dhe shprehu bindjen se procesi i bisedimeve mes dy vendeve do të intesifikohet edhe më tej në të ardhmen.

Lufta kundër covid, hapja e kufijve me dy vendeve dhe hapja e sezonit turistik për të cilin besohet se do të jetë mjaft i mirë për të dyja vendet, ishte një tjetër temë e bisedimeve mes zotit Dendias dhe zonjës Hajdaraga.

Zonja Hajdaraga falënderoi ministrin e jashtëm Dendias për suportin që ai i ka dhënë marrëdhënieve dypalëshe dhe jo vetëm atyre,por gjithë klimës në politikë në rajon falë bisedimeve dhe një fryme të re mes vendeve të Ballkanit dhe atyre europiane.

“Sot është 50 vjetori i marrëdhënieve diplomatike, një datë historike. Sapo dola nga takimi me zotin Dendias, i cili më konfirmoi edhe një herë mbështetjen e plotë të Greqisë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Diskutuam edhe një sërë çështjesh bilaterale me fokus pandeminë dhe turizmin i cili pritet të hapet së shpejti, do të jetë një nga sezonet turistike më të suksesshme për të dyja vendet”, tha ambasadorja.

Takimi u zhvillua pikërisht edhe në ditën e 50 vjetorit të rivendosjeve së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Negociatat përfundimtare mbi marrëveshjen diplomatike midis Greqisë dhe Shqipërisë filluan në Janar 1971 në New York, midis përfaqësuesve të përhershëm të të dy vendeve në KB, Dimitri Bitsiou për Greqinë dhe Sami Baholli për Shqipërinë, pas një propozimi që Athina i kishte dërguar Tiranës më 14 dhjetor 1970.

Bisedimet u zhvilluan nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Chr. Xanthopoulou-Palamas, Zëvendës Ministër i Jashtëm, ndërsa nga pala shqiptare nën drejtimin e Ministrit të Jashtëm Nasti Nase. Më 6 maj 1971, u lëshua njëkohësisht një njoftim në Athinë dhe Tiranë, ku mes te tjerash shkruhej:Qeveria e Mbretërisë së Greqisë dhe qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë kanë rënë dakord për krijimin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe për shkëmbimin e përfaqësuesve diplomatikë në nivelin e ambasadave.

Grupi i parë i stafit të Ambasadës Shqiptare arriti në Athinë në Shtator 1971 dhe më 16 Nëntor, Ambasadori Shqiptar Lik Seiti i dha letrat kredenciale Regjentit Georgios Zoitakis, ndërsa Ambasada Greke në Tiranë ishte hapur me herët .

Top Channel