Varianti indian i koronavirusit, i njohur si B.1.617 shfaq dy ndryshime të rëndësishme gjenetike në proteinën e tij sipërfaqësore: E484Q dhe L452R.
Në Indi, për herë të parë, këto mutacione shfaqen së bashku, prandaj edhe raportohet për një “mutacion të dyfishtë”, i cili konsiderohet si një nga arsyet përse vendi gjendet sot në një situatë të tillë kaq të tmerrshme nga pandemia.
India shënon më shumë se 17 milionë infektime të konfirmuara, ndër më të lartat në botë pas SHBA. Ndërkohë që shifra jozyrtare mendohet të jetë edhe më e lartë. Janë sidomos rastet e shumta të shfaqura në një kohë të shkurtër, 332.000 raste në një ditë, që e çuan në kolaps sistemin shëndetësor në shumë rajone ende të prapambetur.
Për një kohë të gjatë, autoritetet vepruan me gjysmë zemre në luftë kundër virusit, kufizimet u liruan shumë herët, madje u toleruan edhe grumbullime të mëdha. Problemi me këtë formë të re të virusit të shfaqur atje është se arrin të anashkalojë sistemin imunitar të trupit. Sipas Institutit gjerman, Robert Koch këto mutacione çojnë në një “reduktim të neutralizimit nga antitrupat apo qelizat T”.
Varianti indian mendohet se rrezikon edhe të vaksinuarit dhe të shëruarit nga Sars Cov 2. Nuk dihet, ndërkohë nëse të vaksinuarit mund të infektojnë të tjerët.
Eksperti i SPD-së për shëndetësinë dhe epidemiolog, Karl Lauterbach shkroi në Twitter duke iu referuar një studimi për neutralizimin nga India, sipas të cilit, vaksinat që kemi aktualisht veprojnë kundër variantit të Indisë. Sipas një studimi britanik sakaq, rreziku i infektimit pas vaksinës reduktohet me dy të tretat.
Top Channel