Top Channel ka bërë publike rezultatet e Exit Poll të realizuar nga Albanian Post për zgjedhjet e 25 prillit në vendin tonë.
Në nivel kombëtar Partia Socialiste merr 71 mandate, pra 46.9% kanë votuar për të majtët, 43.5% për Partinë Demokratike, duke i dhënë 63 mandate, ndërsa 6.9% kanë votuar për Lëvizjen Socialiste për Integrim, që merr vetëm 6 mandate.
Rezultatet e këtij Exit polli, u publikuan në Top Channel, menjëherë pas mbylljes së orarit zyrtar të votimit të së dielës.
Rezultati në Tiranë
Surpriza më e madhe e këtij Exit Polli rezulton Tirana, që me sa duket do të ketë një betejë të ashpër deri në momentin e fundit. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ndajnë midis tyre 17 mandate, ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim merr 2 mandate.
PS fiton në kryeqytet 44.6% të votave, ndërsa PD 46.4% të votave. Partisë Demokratike i duhen 4000 vota për të marrë mandatin e 18-të, dhe nëse kjo ndodh është përmbysja më e madhe që ka pasur Tirana, sipas autorit të këtij Exit Polli, Baton Haxhiu.
Rezultati në Vlorë
Në qarkun e Vlorës rezulton se PS e ruan bastionin pasi merr 8 mandate, PD merr 4 mandate ndërsa LSI nuk merr asnjë mandat.
Vlora konsiderohet si qarku problematik pasi ka pasur reagime të ashpra nga Presidenti Ilir Meta, i cili ka thënë vazhdimisht se pse beteja politike do të jetë e përqendruar në qytetin e Vlorës, ku sipas tij ka pasur një provokim të rëndë për vjedhjen e zgjedhjeve nga Edi Rama dhe Damian Gjiknuri.
Rezultati në Korçë
Në qarkun e Korçës duket se është mbyllur beteja në mënyrë të barabartë mes PS dhe PD, të cilat marrin nga 5 mandate.
LSI merr vetëm 1 mandat, por për të marrë një tjetër mandat të përafërt nëse llogaritet e merr PS. Gazetari Haxhiu thotë se është gati e pamundur për shkak të numrit të lartë të votave që i duhen.
Rezultati në Lezhë
Partia Demokratike fiton 4 mandate ndërsa Partia Socialiste, 3 mandate në qarkun e Lezhës, sipas Exit Poll-it.
PD fiton 54.5% të votave, ndërsa PS 35.2%.
Rezultati në Shkodër
Në qarkun e Shkodrës rezulton se PD merr fitoren me 6 mandate, PS merr 4 mandate dhe LSI merr 1 mandat.
Gazetari Baton Haxhiu bëri me dije se gara është edhe për PSD e drejtuar nga Tom Doshi, që mund të sigurojë 1 mandat, të cilin ia merr PD.
Rezultati në Fier
Nga të dhënat rezulton se për PS kanë votuar 52,3% e qytetarëve duke i dhënë 9 mandate, ndërsa 6 mandate merr PD nga 37.3% e votuesve dhe 1 mandat i shkon LSI nga 7% e votuesve.
Partia Demokratike fiton 3 mandate në Dibër, sipas Exit Poll-it të Top Channel.
PD merr fitoren me 53%, të përkthyera në 3 mandate ndërsa PS me 36.8% merr 2 mandate.
LSI merr 6.4% të votave, por nuk fiton dot një mandat.
Rezultati në Elbasan
Në Elbasan, PS merr fitoren me 8 mandate pasi kanë votuar 53.4% e qytetarëve, PD merr 6 mandate pasi kanë votuar 40.7% e qytetarëve.
Rezultat zhgënjyes ka LSI pasi vetëm 3.7% e qytetarëve kanë votuar dhe nuk ka marrë asnjë mandat.
Rezultati në Berat
Në qarkun e Beratit, PS merr 4 mandate pasi 50.4% e qytetarëve kanë votuar për të majtët. Ndërsa LSI duket se ka humbur votuesit pasi kanë votuar vetëm 13% duke i dhënë vetëm një mandate.
Dy mandatet e tjera i shkojnë PD që ka pësuar rritje me një mandat që prej zgjedhjeve të 2017-ës.
Rezultati në Durrës
Nga 14 mandate në qarkun e Durrësit, sipas Exit Poll të Top Channel, Partia Socialiste, nxjerr 8 deputetë.
Partia Socialiste ka fituar 52.6%, duke marrë 8 mandate. Partia Demokratike ka fituar 42.9% të votave, që përkthehen në 6 mandate.
Lëvizja Socialiste për Integrim 3.0% të votave.
Rezultati në Kukës
Në qarkun e Kukësit rezulton se PD merr fitoren pasi 63.8% e qytetarëve kanë votuar për të djathtën duke i dhënë dy mandate, ndërsa 35% kanë votuar për PS duke i dhënë një mandat.
Rezultati tregon se LSI ka mbetur pa mandat pasi kanë votuar vetëm 0.8% e qytetarëve të Kukësit.
Rezultati në Gjirokastër
Sipas Exit Poll-it në realizuar nga Top Channel, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, ndajnë mandatet në mënyrë të barabartë mes tyre, në qarkun e Gjirokastrës.
Parashikohet që PS, me 47.4% të votave, merr 2 mandate. Partia Demokratike, me 39.2% të votave merr po ashtu 2 mandate
Lëvizja Socialiste për Integrim me 13.2% të votave ka pasur mundësi për të fituar një mandat në Gjirokastër, që nëse e merr, sipas gazetarit Baton Haxhiu ia merr mandatin PD-së.
Top Channel