Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi ka njoftuar se nuk ka pasur asnjë problem në shpërndarjen e materialeve zgjedhore në të gjitha KZAZ-të.
Në njoftimin e tij, Celibashi theksoi se votimi do të nisë në orën 07:00 dhe ftoi që ketë pjesëmarrje masive në procesin e votimit. Ai shtoi se është shpërndarë pajisja e identifikimit elektronik ndërsa sot, kjo pajisje do t’i shpërndahet sot komisioneve të qendrave të votimit.
Celibashi: Gjej rastin të konfirmoj atë parashikim të Kodit zgjedhor që procesi i votimit duhet të fillojë në 07:00 dhe nuk ka asnjë arsye për të hezituar. I ftoj të gjithë qytetarët që të marrin pjesë masivisht në votime. Procesi dhe KQZ i ka marrë masat që ky proces të jetë i sigurtë dhe garancia e fshehtësisë së votës të jetë e plotë për këdo dhe kudo.
Doja të jepja disa informacione mbi bazën e shpërndarjes materiale zgjedhore.
Nga raportimet që marrim nga terreni, nga KZAZ, terreni ka shkuar mirë, nuk ka pasur asnjë lloj parregullsie, përfshirë dhe pajisjen e identifikimit elektronik. Kjo pajisje bashkë me pjesën tjetër të materialeve do ti shpërndahet sot komisioneve të qendrave të votimit.
Në deklaratën e fundit para zgjedhjeve të 25 prillit, Celibashi theksoi edhe njëherë mënyrat e votimit në mënyrë që vota e tyre të jetë e vlefshme.
Celibashi: Për zgjedhësit, do të doja të risillja në vëmendje informacione për mënyrën e plotësimit të fletës së votimit. Në këtë ditë të heshtjes, mendoj që do të ketë vend për informacione. Në çdo qendër votimi, do votohet vetëm me një fletë ku janë emrat e partive dhe koalicioneve si dhe numrat e secilës parti dhe koalicion.
Në disa qarqe kandidojnë dhe kandidatë të pavarur. Me qëllim që vota e qytetarit të jetë e vlefshme, duhet që të zgjidhet vetëm një parti ose koalicion apo kandidati i pavarur, mënyra tjetër është ajo që ka të bëjë me votimin edhe për partinë politike dhe koalicionin duke vendosur shenjën X ose Plus përbri emrit të partisë dhe mund të zgjedhë vetëm një prej kandidatëve të asaj partie apo koalicionit që ka zgjedhur me anë të numrit që ka.
Mënyra e tretë është që votuesi mund të votojë edhe vetëm për një kandidat, pra të bëjë shënim vetëm në një prej numrave që do i korrespondojë kandidatit që pëlqen. Pra duke vendosur shenjën X ose +, pa qenë e nevojshme të vendosë shenjën tek partia apo koalicioni që i përket kandidati.
Cdo mënyrë tjetër e votimit ka probabilitet të lartë që të konsiderohet e pavlefshme, prandaj duhet që votuesit të votojnë në një prej mënyrave që ne si KQZ kemi prezantuar dhe sot.
Votuesit do gjejnë informacion të plotë në hyrje të qendrës së votimit. Në këtë mënyrë, ata të cilët do të kenë dilema për shkak të memories për secilin numër, mund ta marrin këtë informacion mbi atë se kujt kandidati i përket X numër.
Ndërsa për projektin pilot të votimit dhe numërimit elektronik, Celibashi garantoi fshehtësinë e votës dhe integritetin duke thënë se nuk ka vend për shqetësime në lidhje me sigurinë pasi procesi do të jetë 100% i garantuar.
Celibashi: Në lidhje me projektin pilot që do të zhvillohet në njësinë bashkiake nr.10, e rikonfirmoj që ky proces është 100% i garantuar. Fshehtësia e votës dhe integriteti janë 100% të garantuar. Nuk ka asnjë mënyrë qoftë teknike apo tjetër sipas të cilës mund të verifikohet se kush ka votuar për kë. Prandaj ju bëj me dije të gjithë votuesve të kësaj zone se kam marrë disa shqetësime në lidhje me sigurisë, që ky proces është shumë herë më i sigurt se procesi me fletë votimi. Të gjithë ata që duan të shprehin votën e tyre, të shkojnë pa asnjë lloj hezitimi.
Top Channel