Ambasadorja Amerikane në Tiranë i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë Presidentit Ilir Meta, si përmes Twitterit edhe në celularin e tij, gjatë se premtes mbrëma teksa kreu i shtetit ishte në një intervistë televizive. Reagimi i Yuri Kim kishte të bënte me deklaratat e para disa ditevë të Metës që shqiptarët të rrëmbejnë sfurqet në mbrojtje të votës.

“Është e papranueshme për këdo që të kërcënojë se qytetarët do të marrin “sfurqet” në 25 Prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Ndal!”, deklaroi ambasadorja amerikane në Twitter, në një mesazh të fortë dhe të drejtpërdrejtë për presidentin Meta.

Ndërkohë Meta që ishte në një studio televizive tha se ambasadorja i kishte shkruar live për të mos përmendur më sfurqet. “I them Ambasadores amerikane live që të mos marrë më në mbrojtje Edi Ramën. Meqë më dërgoi live SMS i them Ambasadores Amerikane mos e mbështet më Edi Ramën”- tha Meta.

Por presidenti shkoi edhe më tej në komentin për diplomaten e Washingtonit në Tiranë. “E përqafoj ambasadoren amerikane dhe i them boll ndërhyre në punët e brendshme të Shqipërisë në këtë mënyrë të njëanshme. Deklarata e Yuri Kim është një turp dhe e ftoj Ambasadoren të vijë tani live në studio bashkë me Edi Ramën të ballafaqohemi para shqiptarëve”- tha Meta.

Deklaratat e Metës i komentoi në Open në Top Channel kryeministri Edi Rama.

“Të komentosh një njeri që është komplet jashtë binarëve dhe është fatkeqësi për gjithë ne, sepse Shqipëria është pa president sot, është hedhur nga dritarja dhe ndodhet mes nesh si një agjitator i dhunës dhe ekstremeve që janë të paimagjinueshme dhe të arrihet të flasë si një kalama, si një kastravec, t’i thuash ambasadores boll mbrojtje Edi Ramën është një muhabet zhelesh”- tha Rama.

Ditën e vrasjes në Elbasan ambasadorja amerikane në Tiranë i telefonoi presidentit, kryeministrit dhe liderit të opozitës dhe u bëri thirrje për vetëpërmbajtje. Një ditë më pas zonja Kim përshëndeti vetëm qëndrimet e kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës Basha për ngjarjen e Elbasanit dhe nuk e përmendi Metën, i cili prej ditësh ka bërë një sërë deklaratash kërcënuese.

“Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi”- ka thënë ambasadorja Kim.

Top Channel