“Në 25 prill do vij në Tiranë”- Besa Shahini tregon se kë do të votojë: Kritikat e mia për PS-në qëndrojnë ende, por…

23/04/2021 12:22

Ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini përmes një shënimi në facebook ka njoftuar se ditën e dielë, do të vijë në Tiranë për të hedhur votën për Partinë Socialiste.

Shahini ka zbuluar se nëse do kishte mundësi të votonte jashtë qarkut të Tiranës do kishte votuar në Lezhë Lindita Nikollën, në Vlorë Anila Denajn, ndërsa në Durrës Milva Ekonomin. Por si qytetare e Kosovës me nënshtetësi shqiptare, e regjistruar në Tiranë, Shahini nuk e ka zbuluar se për kë kandidat të PS do ta hedhë votën.

Po ashtu ajo deklaron se kritikat e saj për PS-në se ajo duhet dhe mundet të jetë më e mirë, më e majtë, më e drejtë qëndrojnë, ndërsa thekson se sot PS vazhdon të jetë opsioni më i mirë për Shqipërinë.

Postimi i plotë:

Të dielën do të shkoj në Tiranë për të votuar Partinë Socialiste, grupin politik me të cilin shërbeva për tre vite në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Kritikat e mia për PS-në qëndrojnë ende: PS duhet dhe mundet të jetë më e mirë, më e majtë, më e drejtë. Por, gjithashtu qëndron se sot PS vazhdon të jetë opsioni më i mirë për Shqipërinë.

Po të mund të votoja jashtë qarkut tim, do i jepja votën time Lindita Nikollës në Lezhë, e cila reformën në arsim e ka shtyrë përpara me kurajo e shumë sacrifice dhe duke punuar për Lezhën paralelisht, pa u ndalur.

Do të kisha votuar për Milva Ekonomin në Durrës që si deputete u përfshi totalisht në përpjekjet tona për të ndihmuar qytetarët e prekur nga tërmeti, duke kontribuar me punën dhe ekspertizën e saj.

Apo Anila Denajn në Vlorë, e cila me kokë të ftohtë dhe pasion në zemër, drejtoi suksesshëm sfidat marramendëse financiare me të cilat u ballafaquam kur pandemia filloi menjëherë pas tërmetit që shkaktoi dëme mbi 1 miliard Euro.

Do të votoja edhe shumë gra të tjera të cilat kanë treguar qëndrueshmëri, vendosmëri dhe dashuri të madhe për Shqipërinë. Të dashura shoqe, ju uroj sukses të dielën!

Lindita Nikolla

Milva Ekonomi

Anila Denaj

Top Channel