Medalje Ari për maturantë ekselentë të diplomuar / Ministrja Kushi: Mos u ndalni në rrugën e ëndrrës suaj

23/04/2021 12:57

Janë vlerësuar me Medalje Ari 40 ish-maturantë, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë me rezultate të shkëlqyera në vitet shkollore 2018-2019 dhe 2019-2020.

Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi gjatë fjalës së saj u shpreh se këta nxënës kanë arritur këtë sukses falë punës dhe vullnetit të tyre.
Gjatë këtyre viteve të fundit, ju keni pasur mësues më të kualifikuar, keni mësuar me tekste të Oxford dhe Cambridge, me programe dhe kurrikula të bazuara në kompetenca, duke u bërë më të aftë të studioni edhe në universitetet më të mira e prestigjioze të botës. Dhe pikërisht kjo është arsyeja që 10 maturantë ekselentë sot nuk i kemi këtu të pranishëm, por ata na bëjnë krenare njësoj si ju, sepse studiojnë jashtë vendit dhe vazhdojnë të shkëlqejnë me rezultatet e tyre”, shprehet ministrja.

Më tej ajo thekson se tashmë zbatohet një sistem i ri pranimesh në universitet, vetëm në baze të meritës dhe në kushtet e një transparence të plotë.

Ju përfaqësoni modele frymëzimi për të gjithë nxënësit, të rinjtë e të rejat qe na ndjekin. Për tu treguar të gjithëve se puna dhe sakrifica vlerësohet dhe shpërblehet” – tha ministrja.
Ajo u shpreh se të rinjtë duhet të ketë guxim dhe besim për të ardhmen, dhe se ata mësojnë nga gabimet e të kaluarës dhe zbulojnë si të bëjnë punët më mirë.
“Mos u trembni dhe mos u ndalni asnjëherë në rrugën e ëndrrës dhe ambicies suaj. Përqafoni vlerat më të mira të shoqërisë. Mos kërkoni rrugën më të shpejtë e më të lehtë për të zgjidhur problemet, por rrugën më të drejtë, duke u udhëhequr nga ndershmëria, puna, këmbëngulja, respekti për të tjerët, bujaria e solidariteti”, ka dhënë mesazhin e saj ministrja Kushi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA