Deklarata e Xhelal Mziut/ Ambasadorja Kim: Jo Elbasan i dytë! Ditët e grupeve të armatosura që “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës

23/04/2021 11:38

Ambasadorja Yuri Kim ka reaguar pasi Xhelal Mziu kërkoi ndjesë për deklaratën shokuese, ku thoshte që çdo person të dyshimtë ta raportojnë te grupet e posaçme që PD ka ngritur për mbrojtjen e votës dhe do ta pësojnë njëlloj si ai në Elbasan.

Ambasadorja Yuri Kim e përgëzon atë për ndjesën ndërsa thotë se një rast tjetër si i Elbasanit nuk duhet të përsëritet kurrësesi. Ajo thotë se “Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë logon e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës – e kaluara e shëmtuar që të gjithë ne duhet ta refuzojmë”. 

Reagimi i ambasadores

Më vjen mirë të shohë ndjesën e qartë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë logon e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës – e kaluara e shëmtuar që të gjithë ne duhet ta refuzojmë

Ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mes të mbështetësve. Përkundrazi, kjo duhet të bëjë që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta drejtojnë këtë vend larg nga e kaluara dhe drejt një të ardhme më të mirë.

Mziu doli më herët me një deklaratë ku shpreh keqardhjen dhe pendesën për atë që ka thënë, ndërsa thekson se ishte si rezultat i emocioneve të forta të momentit.

Mziu thekson se mbështet zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se është kundër dhunës.

lexo edhe: https://top-channel.tv/2021/04/23/deklarata-shokuese-e-xhelal-mziut-kemi-ngritur-grupet-tona-dhe-cdo-person-i-dyshimte-do-ta-pesoje-njelloj-si-ai-i-elbasanit0/

Top Channel