Basha nga Kavaja: Rama ka frikën e humbjes, prandaj po bën veprime diktatoriale

20/04/2021 11:21

Kryedemokrati Lulzim Basha e ka nisur turin elektoral këtë të martë nga Kavaja, pikërisht një ditë pasi atje u plagos një nga aktivistët e Partisë Demokratike të këtij qyteti, Bledar Okshtuni.

Basha deklaroi se Kavaja ka sjell demokracinë dhe fitorja sipas tij, nuk e ndalohet nga sulmet e bëra, e këtu iu referua plagosjes së djeshme.

“Të rinj dhe të reja të Kavajës, qytetarë, ora e fitores po afron. Ora e ndryshimit po afron, dita po vjen, për ta larguar me votën e Kavajës e Shqiptarëve të bashkuar njeriun që për tetë vite me radhë e mbajti peng vendin. E përzuri rininë. I ka hyrë frika në palcë, e ka kuptuar dhe paniku i humbjes e ka tmerruar, sepse ai më shumë e më mirë se asnjëherë e di se me 25 prill, Shqipëria fiton dhe Edi Rama humb.

Vëllezër dhe motra, Kavaja, ia ka vënë gjithmonë tonin demokracisë. Ishte Kavaja që u ngrit e para. Ishte Kavaja që nuk u tremb kurrë nga diktatura. Është Kavaja që e ndezi fitoren tonë për ndryshim. Është Kavaja që do i prijë fitores së gjithë Shqipërisë”.

Nga Kavaja, kryedemokrati nuk i ndali akuzat ndaj Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama. “Ne të gjithë e dimë fare mirë se një njeri i vetëm i cili për 8 vite me radhë nuk arriti të bëjë gjë tjetër veçse të shkaktojë plagë në trupin e familjeve shqiptare dhe ekonomisë sonë. Një njeri që 8 vite me rrallë pati të gjitha pushtetet e dështoi, nuk mundet kurrë në asnjë formë, me asnjë mënyrë ta ndalë këtë uragan shprese. Të gjithë e dimë se vota për ndryshim, vota për fitoren e Partisë Demokratike është rruga që do të hapë punën, mirëqenien, ekonominë, integrimin europian të vendit”.

Basha kërkoi votën e qytetarëve të Kavajës në 25 prill. “Për nënat tona që na kanë rritur me sakrifica, për nënat që nuk duan që djemtë e Kavajës, rinia e mrekullueshme e Kavajës të mos shkojë në emigracion por të jetojë dhe punojë këtu, të dielën votojmë numrin 9. Për Kavajën e shpresës, të ndryshimit, të zhvillimit, të punësimit, të fermerëve me mirëqenie, për turizmin votojmë numrin 9. Për të bërë të mundur edhe një herë që Shqipëria dhe shqiptarët njësoj si atëherë kur Kavaja i priu karvanit të demokracisë dhe lirisë, të çlirohet nga ky ankth dhe bashkë vëllezër dhe motra, të gjithë bashkë ta çojmë vendin anëtar të Bashkimit Europian me dinjitet, me demokraci, me drejtësi, votoni numrin 9!

 

Top Channel