Rreziku shkon nga i vogël, deri në mesatar që Rusia brenda disa javësh të nisë pushtimin e Ukrainës, pohoi gjenerali Tod Wolters, kreu i Komandës Europiane të forcave amerikane, i cituar nga agjencia e lajmeve Reuters.
Ky është i pari vlerësim ushtarak i kësaj natyre që kur nisën të shtoheshin shqetësimet lidhur me lëvizjet e trupave ruse në kufi. Wolters nuk dha shpjegime të mëtejshme mbi informacionet e inteligjencës që e shtyjnë të besojnë se lufta mund të shpërthejë vërtet.
Ai vetë la të kuptohej se nuk e nënvlerëson një rrezik të tillë. Në dëshminë e dhënë përpara një komiteti të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Wolters sqaroi se vlerësimi i tij mbi një përshkallëzim të ndjeshëm të gjendjes brenda disa javësh bazohej tek lëvizjet e trupave ruse. “Kemi të bëjmë me një forcë shumë të madhe tokësore”, u tha Wolters anëtarëve të Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, duke mos pranuar të jepte shifra.
“Ka gjithashtu një grumbullim të një force të konsiderueshme ajrore dhe detare”, tha ai.
“Vigjilenca jonë është në nivel të lartë”, shtoi gjenerali amerikan.Shtëpia e Bardhë, Pentagoni dhe NATO kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur një shpjegim nga Rusia për lëvizjet e trupave, duke hedhur poshtë insistimin e Moskës se po grumbullonte forcat për një stërvitje ushtarake.Ata gjithashtu i kanë bërë thirrje Rusisë që të ulë tensionet, duke theksuar se ky është grumbullimi më i madh i trupave ruse që nga pushtimi dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014, pjesë e një “modeli provokimesh agresive”.
Top Channel