FBI e shqetësuar nga potenciali për dhunë i grupit të së djathtës së largët QAnon

15/04/2021 06:59

FBI-ja vazhdon të jetë “e shqetësuar” për potencialin e lëvizjes konspirative të ekstremit të djathtë QAnon për dhunë dhe së shpejti do të qarkullojë një vlerësim të paklasifikuar të kërcënimit në lidhje me këtë grup, tha të mërkurën drejtori i FBI-së Christopher Wray.

FBI-ja e shikon QAnon si një “grup teorish komplekse komploti të promovuara kryesisht në internet, të cilat janë shndërruar në një lëvizje më të madhe”, dëshmoi zoti Wray përpara Komisionit të Zbulimit të Senatit. “Dhe jemi të shqetësuar për potencialin që mund të çojë në dhunë. Dhe atje ku ka frymëzim për vepra penale federale, ne do ta ndjekim atë në mënyrë agresive”, tha zoti Wray.

Vlerësimi i zotit Wray për rrezikun nga grupi QAnon erdhi gjatë një dëgjimi mbi vlerësimin vjetor të komunitetit të zbulimit të kërcënimeve të panumërta globale me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj gjatë vitit të ardhshëm. Drejtori i CIA-s William Burns dhe zyrtarë të tjerë të lartë të inteligjencës gjithashtu dëshmuan gjatë seancës dëgjimore. Zoti Wray u tha ligjvënësve se FBI-ja “shumë shpejt” do të dërgojë në Kongres vlerësimin e saj të kërcënimit për QAnon. Raporti i paklasifikuar do të ofronte një pamje sesi agjencia kryesore e zbatimit të ligjit të vendit e shikon rrezikun e paraqitur nga QAnon mes shqetësimeve në rritje për ekstremizmin e dhunshëm të ekstremit të djathtë pas sulmit të 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara.

QAnon filloi në internet në vitin 2017 si një teori konspirative e pabazë, që pretendonte në mënyrë të gabuar se Presidenti i atëhershëm Donald Trump ishte duke luftuar fshehurazi me një qark të “shtetit të fshehtë” të përbërë nga pedofilë që adhurojnë Satanain. Por që atëherë është bërë globale, duke tërhequr një shumëllojshmëri të teoricienëve të konspiracionit. Ndërkohë, pasuesit e QAnon kanë qenë të përfshirë në dhjetëra krime të motivuara ideologjikisht në vitet e fundit, përfshirë tre vrasje, duke tërhequr kështu vëmendjen e strukturave të zbatimit të ligjit. Zoti Wray tha se FBI-ja heton dhunën dhe kërcënimet e dhunës, jo ideologjinë që e frymëzon atë.

Në 2019, FBI-ja për herë të parë përkufizoi teoritë e konspiracionit si QAnon një kërcënim i mundshëm terrorist i brendshëm, duke paralajmëruar që aktiviteti ekstremist i frymëzuar nga këto ide mund të rritej gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale amerikane në vitin 2020. Paralajmërimi rezultoi largpamës. Adhuruesit e QAnon u mblodhën rreth ish-Presidentit Trump gjatë fushatës dhe më pas dolën në masë kur mbështetësit e ish-presidentit zbritën në Kapitol për të prishur çertifikimin nga Kongresi të zgjedhjes së Presidentit Joe Biden. Trazirat lanë pesë njerëz të vdekur, duke përfshirë oficerin e Policisë së Kapitolit Brian Sicknick dhe ndjekësen e QAnon, Ashlie Babbitt.

Se sa përkrahës të QAnon morën pjesë në sulmin ndaj Kapitolit mbetet e pasigurt. Zoti Wray tha se FBI-ja ka arrestuar të paktën pesë “ithtarë të vetë-identifikuar të QAnon” në lidhje me sulmin.

Por studiuesit kanë identifikuar një numër më të madh. Sipas Konsorciumit Kombëtar për Studimin e Terrorizmit dhe Reagimit ndaj Terrorizmit (START) në Universitetin e Merilendit, nga gati 400 protestues të akuzuar penalisht deri më tani, 37 janë mbështetës të QAnon. “Sipas të dhënave tona, të gjithë kanë bërë minimalisht deklarata publike në mbështetje të teorisë së konspiracionit. Dhe nëse kjo nuk llogaritet për vetë-identifikimin si mbështetës, atëherë unë nuk e di se çfarë mundet”, tha Michael Jensen, hetuesi kryesor për programin.

I pyetur se si zoti Wray arriti në shifrën shumë më të ulët, një zëdhënës i FBI-ja tha se byroja nuk kishte asgjë për t’i shtuar komentit të tij. Zoti Jensen tha se zoti Wray është “i justifikuar” kur jep alarmin për potencialin e QAnon për dhunë. “Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se rreziku i dhunës nga mbështetësit e QAnon nuk ka të ngjarë aq shumë sa nga llojet e tjera të ekstremistëve të brendshëm, duke përfshirë nacionalistët e bardhë, të cilët janë përgjegjës për dhjetëra sulme dhe qindra krime të urrejtjes çdo vit”, tha ai në një email.

Colin Clarke, drejtor i politikës dhe kërkimit në Soufan Group, tha se QAnon shërben si një “shumëzues i forcës” për ekstremistët e djathtë të Amerikës. “Unë mendoj se ka të ngjarë të shohim një migrim të aderuesve të QAnon në grupe ekzistuese dhe madje edhe atje ku ata nuk bashkohen në grupe që ekzistojnë aktualisht. Unë mendoj se si aktorë të vetëm, ata janë të rrezikshëm në vetvete”, tha zoti Clarke në një intervistë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA