Grabitet lepuri më i madh në botë/ E zonja jep £1,000 shpërblim për kthimin (fotot)

13/04/2021 20:07

Lepuri më i madh i botës është grabitur nga shtëpia e tij ne Britani, duke detyruar pronaren e tij zemërthyer të ofrojë 1,000 paundë shpërblim për kthimin.

Lepuri Darius, fitues i rekordit botëror ‘Guinness’ si më i madhi i llojit të tij, është rrëmbyer të dielën nga strofka e tij.

Pronarja 68 vjeçare Annette Edwards tha se ishte tronditur kur pa se Darius ishte zhdukur nga shtëpia e tij në Stoulton, Britani.

Zonja Edwards, ironikisht ish-modele e Playboy (qe ka si simbol lepurushin), lutej në rrjetet sociale që kushdo që kishte lepurin e saj 10-vjeçar Darius ta rikthejë, pasi tashmë është  “tepër i vjetër për t’u shumuar”.

Policia tha se ka nisur një hetim për gjetjen e Darius, i cili është 130 cm i gjatë dhe peshon gati 16 kilogramë. Zonja Edwards, e cila ka shumuar rreth 100 lepuj, thotë se e ushqen atë rreth orës  7.30 deri në 8 të darkës.

Ajo shtonte: “Ka shumë njerëz xhelozë në botë, dhe duan ta shumojnë por ai është tepër i vjetër për këtë tani, nuk është e shëndetshme për të. Ai ushqimin e ha me një dietë speciale”.

Edwards, ka ofruar 1,000 paundë për kthimin e Darius duke shtuar se vajza e saj është trishtuar shumë që prej humbjes së lepurit.

FOTO GALERI
2/4
Lepuri Darius, fitues i rekordit botëror ‘Guinness’ si më i madhi i llojit të tij, është rrëmbyer të dielën nga strofka e tij

Top Channel