Gogësima është ‘ngjitëse’ edhe për luanët/ Kafshët imitojnë sjelljet e tufës, për të shtuar harmoninë (fotot)

13/04/2021 17:03

Disa kafshë ashtu si dhe njerëzit, nisin të gogësijnë kur e bën dikush tjetër pranë tyre, dhe një studim i ri thotë se kjo sjellje imituese ndihmon në harmoninë e grupit.

Studiuesit që mbikqyrën luanët në Afrikën e Jugut, zbuluan se kafshët jo vetëm që imitojnë gogësimat e njëra-tjetrës por kopjojnë edhe sjellje të tjera.

Si rrjedhim nëse një luan gogësin, dhe më pas çohet të shkuar diku tjetër, një tjetër predator do të bëjë të njëjtën gjë.

Shkencëtarët besojnë se kjo sjellje e sinkronizuar ndihmon që tufa të funksionojë si grup, duke përmirësuar shanset e gjetjes së ushqimit dhe të pikasjes së hershme të kërcënimeve.

Ndërsa në lidhje me gogësimën, kafshët e bëjnë për arsye të ndryshme, sipas studiuesve të Universitetit të Pisa në Itali, nganjëherë gjatë gjendjes së tranzicionit në zgjimin nga gjumi, dhe nganjëherë si reagim ndaj “tensionit të lartë shoqëror”.

Por disa kafshë sociale — që nga ujqërit, zogjte e majmunët — janë observuar që përfshihen në sjellje ‘ngjitëse’ të gogësimës, të nisur prej gogësimës së një anëtari të grupit, duke u përhapur më tej te të tjerët.

Prej lidhjes së tyre të afërt shoqërore dhe aktivitetit të sinkronizuar të grupit, luanët ishin modeli më i mirë për të hetuar si gogësimën spontane në sferën fiziologjike, ashtu dhe përhapjen imituese të saj nga grupi.

Duke filmuar 19 luanë të dy grupeve në rezervatin  Makalali në Afrikën e Jugut, studiuesit zbuluan se gogësima ngjitëse ishte e zakonshme mes felinëve të mëdhenj.

Sipas tyre në një periudhë prej pesë muajsh, një luan kishte 100 herë më shumë shanse të gogësinte nëse një anëtar tjetër i tufës së tij sapo e kishte bërë këtë.

Madje disa herë diferenca kohore mes reagimit dhe imitimit ishte vetëm disa sekonda.

Të dhënat tregojnë se “nëse dy luanë gogësijnë së bashku, ata sinkronizohen edhe në sjellje të tjera me njëri-tjetrin”, tha autorja e studimit Elisabetta Palagi.

“Luanët bëjnë shumë gjëra së bashku, ata organizohen për gjuetinë dhe kujdesjet për të vegjëlit. Prandaj ata kanë nevojë të sinkronizojnë lëvizjet për të komunikuar apo për të paraprirë veprimet e anëtarëve të tufës.

Gogësima shton furnizimin me oksigjen dhe me gjak në kokë, duke freskuar kështu trurin, për të bërë subjektin më vigjilent nëse ndjehen të përgjumur.

Studime të mëhershme tregonin se gogësima ngjitëse mund të funksionojë dhe mes specieve të ndryshme, teksa qentë, shimpanzetë madje dhe elefantët janë parë të ‘marrin’ gogësimën  nga njerëzit, edhe nëse ata e bëjnë të rreme.

FOTO GALERI
1/8
Disa kafshë ashtu si dhe njerëzit, nisin të gogësijnë kur e bën dikush tjetër pranë tyre

Top Channel