Një lajm i shkëlqyer për Shqipërinë! Projekti për sheshin Shiroka është nominuar për çmimin “Mies Van der Rohe” dhe ky lajm është botuar në mbarë botën.
Fondacioni ‘’Mies van der Rohe’’, që u themelua në vitin 1983 nga Bashkia e qytetit të Barcelonës, me qëllimin fillestar të rindërtimit të Pavijonit gjerman, ka shkruar një artikull mjaft të veçantë për projektin e sheshit të Shirokës.
Pas rënies së regjimit komunist, shëtitorja buzë liqenit të Shirokës u zaptua me ndërtime pa leje. “Albanian Carpet” ua ktheu qytetarëve duke prishur ndërtimet pa leje, duke hapur pamjet mbi liqen dhe duke krijuar një hapësirë publike, shkruhet në këtë artikull.
Projekti i jep përparësi qarkullimit të këmbësorëve dhe biçikletave duke përdorur trotuarin e përbashkët. Hapësira është fragmentuar në një seri dhomash të hapura, të frymëzuara nga dhoma tradicionale shqiptare (ODA), e karakterizuar nga një stol i gjatë në formë U, ku qytetarët qëndrojnë, shtrihen dhe madje flenë.
Ana e brendshme e dhomave në formë U është prej druri, ndërsa pjesa e jashtme është prej guri dhe formon shkallët që transformojnë sheshin qendror në një teatër të improvizuar. Shiroka është emri i një fshati, sot lagje e qytetit të Shkodrës, në bregun jugperëndimor të Liqenit të Shkodrës, afër kufirit me Malin e Zi.
Punimet për transformimin e Shirokës po vijojnë me intensitet, pas shumë dekadash mungesë investimesh.
Top Channel