Kancelarja Angela Merkel e mbështet një “mbyllje afatshkurtër në shkallë vendi” për luftimin e infektimeve. Një zëdhënëse e Kancelares theksoi, se sistemi shëndetësor gjerman është nën një presion gjithnjë e në rritje.

Një zëdhënëse e qeverisë gjermane tha të mërkurën (07.04) se kancelarja është pro një mbylljeje afatshkurtër në shkallë vendi, mbyllje e cila ka si qëllim uljen e shifrave të infektimeve nga koronavirusi.

Teksa Gjermania gjendet mes ‘luftës’ me valën e tretë të pandemisë dhe fushatës së ngadaltë të vaksinimeve, disa drejtues të landeve kanë bërë thirrje për një periudhë ashpërsimi të kufizimeve. “Është e drejtë çdo thirrje për një mbyllje afatshkurtër dhe të njëtrajtshme”, tha zëdhënësja Ulrike Demmer. “Gjithashtu, në këto momente është me rëndësi një qasje e përbashkët në shkallë vendi.” Menaxhimi i ndryshëm i pandemisë nga 16 landet “nuk është kontribut i mirë për situatën”, shtoi ajo.

Demmer u tha gazetarëve, se në Gjermani po vërehet një numër i rritur i pacientëve që janë nën kujdes intensiv.

“Për momentin nuk kemi të dhëna pozitive, për aq kohë sa numrat e infeksioneve të reja po rriten. Por një mesazh i qartë është numri i shtretërve të zënë në kujdesin intensiv. Po rriten së tepërmi, shumë shpejt. Mjekët e kujdesit intensiv janë të shqetësuar.”

“Sistemi shëndetësor është nën një presion të madh e të vazhdueshëm,” tha ajo, duke nënvizuar se është shënuar një rritje prej 5% i zënies së shtretërve të kujdesit intensiv brenda vetëm 24 orëve.

“Na nevojitet një incidencë e qëndrueshme poshtë 100”, tha ajo, duke iu referuar numrit të rasteve të reja për 100.000 banorë, brenda një periudhe 7-ditore në Gjermani.

Sipas Institutit Robert Koch, të dhënat kombëtare tregojnë 110.1 raste për 100.000 banorë.

Duke u bazuar në sistemin federal gjerman, secili land ka të drejtën që të vendosë vetë për rregullat e menaxhimit të pandemisë. Disa prej tyre kanë dështuar në vendosjen e rregullave më të ashpra pavarësisht rasteve në rritje që e tejkalojnë situatën e emergjencës, duke çuar madje në lehtësim të masave.

Mes atyre që bëjnë thirrje për një mbyllje afatshkurtër dhe të ashpër është Armin Laschet, kreu i Partisë Kristiandemokrate (CDU), i cili tha se mund të jetë e nevojshme një mbyllje për të ulur numrin e rasteve, derisa të vaksinohen më shumë njerëz. Ai gjithashtu bëri thirrje që bisedimet mes kancelares Merkel dhe drejtuesve të landeve të tjera, që janë planifikuar për të hënën e ardhshme, të realizohen më shpejt.

Më herët, Merkel e ka kritikuar Laschet — një kandidat i mundshëm për ta zëvendësuar atë në postin e Kancelares – për rezistencën ndaj masave më të ashpra./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA