Giuseppe Ungaretti është një ndër poetët më të mëdhenj italianë të shekullit XX.
I konsideruar si babai i rrymës së hermetizmit, poeti gjithnjë ka pasur si qëllim atë që ai e quan “la poesia pura” (poezia e kulluar), poezia në vetvete e lidhur ngushtë me natyrën dhe shpirtin njerëzor. “Ndjenja e kohës” është vëllimi i tij i dytë me poezi, botuar për herë të parë më 1933.
Nëse në vëllimin e parë Allegria di naufragi (1919), ai theu të gjitha kanonet e përcaktuara të poezisë, metrikën, strukturën, leksikun, mendimin, duke e kthyer atë në një koncentrat të thukët dhe shpërthyes, ku me pak rreshta mëton të japë një gjendje të tërë shpirtërore e njerëzore, në këtë vëllim të dytë, ai i rikthehet poezisë së Giacomo Leopardi-t dhe Francesco Petrarca-s, stilit të përpunuar, leksikut të lartë thuajse klasik e hyjnor.
Tashmë siç shkruan dhe vetë Ungaretti: “Unë rilexoja përulësisht poetët, poetët që këndojnë. Nuk kërkoja vargun e Jacopone-s apo atë të Dante-s, as atë të Petrarca-s apo të Guittone-s e të Tasso-s, as të të Cavalcanti-t apo të Leopardi-t: tek ata kërkoja këngën […] këngën italiane, kërkoja këngën e gjuhës italiane në qëndrueshmërinë e saj përgjatë shekujve, përmes zërash kaq të larmishëm, me timbre kaq të ndryshme dhe shumë të kujdesshëm për risinë e tyre, zëra tepër të veçantë në shprehjen e mendimeve dhe të ndjenjave: ishte rrahja e zemrës sime që doja ta ndieja në harmoni me rrahjen e zemrës së më të mëdhenjve të një toke fort të dashur”.
Poezitë e përzgjedhura këtu i përkasin periudhës së parë të pas Luftës së Dytë Botërore, (1919 – 1927), ku poeti fillon të meditojë edhe më thellë për fatin e tij, por jo vetëm individualisht, por të qenies njerëzore në përgjithësi. Përkohësia e njeriut mbi dhé përkundër përjetësisë vërehet qysh në poezinë “O natë”, ku përmes metaforës së fuqishme të natyrës dhe stinëve, poeti shfaq trishtimin dhe melankolinë e tij të pafund. E njëjta ndjesi të krijohet edhe në poezinë “Peizazh” (1920) (100-vjetori i kësaj poezie), që shoqërohet dhe nga misteri, atë mister që poeti rreket ta rrokë e ta hedhë në poezi derisa në mbrëmje, gjendet i vetëm dhe i vetmuar dhe mund ta shfaqë hapur lodhjen dhe zhgënjimin e tij.
Poezia “Kujtim i Afrikës” na shpie në vendlindjen e poetit, i cili, i lindur në Aleksandri të Egjiptit, nga prindër italianë, kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme, pra pjesën kryesore të formimit të tij në Afrikë. Shkretëtira e paskaj me ngjyrat dhe tingujt e saj ka mbetur thellësisht e gdhendur brenda tij. “Ujdhesa” mbetet një prej poezive më të errëta të Ungaretti-t, e vështirë për t’u deshifruar, se ç’është ky vend, ky ishull ku nuk dihet se kush zbret, ndoshta poeti vetë, ndoshta frymëzimi, ndoshta muzat? Poezia simboliste franceze gjen shprehjen e vet më të lartë në këto vargje. “Ujdhesa” është një peisash jashtë kohës, një përzierje e reales dhe ëndrrës, që në njëfarë mënyre kthehet në një interpretim metafizik të jetës dhe artit. “Lindja e aurorës” është një tjetër poezi me shumë rrafshe e Ungaretti-t.
Në fakt, në kuptimin e parë, përkthimi do të ishte “Lindja e agut (agimit)”, mirëpo duke qenë se “aurora” nuk përfaqëson vetëm agimin e ditës së re, por edhe vashën e qashtër që dashuron poeti, aurora (e cila në fjalorin e shqipes ekziston me të drejta të plota) i përmbush të dyja kriteret e lojës së poetit, duke mos e vënë në vështirësi zgjedhjeje shumë të madhe përkthyesin. Ajo çka ndryshon në fund të poezisë është peizazhi, por ai ka si referencë edhe figurën femërore, butësinë e së cilës poeti e ka imagjinuar pështjellë në mantelin e qiellit.
Sidoqoftë, përshkrimet që kemi dhënë më lart janë veçse ndjesi të përkthyeses dhe i mbetet lexuesit tanimë të rrëmojë symbyllur në shpirtin e poetit, sepse në fakt, poezinë e Ungaretti-t, nuk mundet thjesht ta lexosh, por duhet të mbyllësh sytë e ta përfytyrosh çdo fjalë e çdo varg, atëherë do ta ndiesh plotësisht e thellësisht kuptimin e saj.
Top Channel